Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimeve dhe çmimet në bujqësi për tremujorin e parë të këtij viti, ku vlerësohet se indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 2.04%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për 7.67%.
ASK nëpërmjet një komunikate thotë se indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore ka rritje për (0.05%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
ASK sqaron se për të bërë krahasime dhe për t’i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e parë të viteve 2010-2017 dhe për vitin bazë 2010.
Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.
“Grumbullimi i të dhënave sipas ASK-së, është bërë në treg, ferma dhe në vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen. Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/