Sport

‘Ronaldo është shpirti i Realit’

Portugezi ka realizuar dy gola në fitoren 3:0 të Realit ndaj Apoelit.

Ndonëse në La Liga është i suspenduar, Cristiano Ronaldo tregon më të mirën e tij në Ligën e Kampionëve ku në ndeshjen hapëse të edicionit të ri, realizon dy gola ndaj skuadrës së Apoel.

Transferimi i ri i Real Madridit, Dani Ceballos që debutoi në Ligën e Kampionëve, ka thënë se kur Ronaldo është në lojë, Reali ndryshon krejtësisht, transmeton KosovaPress.

“Me Ronaldon në fushë, ndihemi më rehat, pasi që ai na jep vetëbesim”, ka deklaruar Ceballos.

“Ai është shpirti i skuadrës, është vendimtar për ne dhe forma e tij fizike është fantastike. Ronaldo pati një ndeshje shumë të mirë dhe ambicia që ka e bën atë më të mirin në botë”, ka përfunduar ai.

Ronaldo nuk do të luajë as këtë fundjavë ndaj Real Sociedadit, pas dënimit prej pesë ndeshjesh.