Sport

Ronaldo me dy fytyra për gola, në Champions numëron 8, ndërsa Barça 7

Ndryshe nga La Liga, Ronaldo po e gjen golin dhe po thyen rekorde në Ligën e Kampionëve.
Ndaj Real Madridit kanë vërshuar një lumë kritikash këtë sezon, për shkak se treshja e famshme “BBC”, e përbërë nga Bale, Benzema dhe Cristiano Ronaldo nuk kanë mundur të shënojnë më shumë sesa dy gola në 12 ndeshje në La Liga.

E për këtë, CR7 është ndier në presion të vazhdueshëm, pasi ka shënuar vetëm një, por që gjithsesi ka mundur të gjejë një rrugë shpëtimi, ose justifikimi thënë ndryshe.

Në Champions League, edhe pse Real Madridi nuk mundi të kapte vendin e parë të renditjes në grup, Cristiano Ronaldo ka shënuar 8 gola në 5 ndeshje.

Një mesatare e mirë, por ndoshta jo e mjaftueshme nëse nuk gjen diçka që t’ia vlejë për t’u krahasuar.

Në fakt, gëzimi më i madh është pikërisht këtu. Ronaldo ka shënuar 8, ndërsa Barça e gjitha vetëm 7 gola.

Një detaj ky që i bën madrilenët të mburren përballë rivalëve të tyre të përjetshëm, edhe pse në renditjen e La Ligës i shohin 10 pikë larg katalanasit.

Me dy golat kundër APOEL-it, Ronaldo shkoi në 18 finalizime në vitin 2017, më shumë se çdo lojtar tjetër në histori të kësaj gare.

Krahas shumë rekordeve që mban Cristiano mbi supe janë; golashënuesi më i mirë në një edicion (17) si dhe atë të golashënuesit më të mirë në histori të Ligës së Kampionëve me 114 deri më tani. /Gazeta Express/