Sport

Roma – Juventus, ja çfarë do të ndodhë nëse ndeshja mbyllet në barazim

Roma dhe Juventus takohen në Stadio Olimpico të dielën mbrëma në Serie A.

Katër ditë pas fitores historike të trofeut të katërt të Kupës së Italisë bardhezinjtë e Juventusit do të udhëtojnë drejt Olimpicos ku përballë do të kenë një Romë plot të papritura që do të mundohet t’ia shtyjë festën e kurorëzimit për të shtatën herë si kampione e Serisë A, Zonjës së Vjetër, edhe pse Juven tashmë nga ky objektiv e ndan vetëm një pikë minimaliste.

Gjithsesi, skuadra e Allegrit vjen optimiste dhe beson se Olimpico do të tregohet sërish një stadium bujar me ta sikundër ndodhi pak ditë më parë ndaj kuqezinjve të Milanit duke i shpallur kampionë të Kupës së Italisë.

Nga ana tjetër kemi një Romë që pas performancave fantastike në gjysmëfinalet e Champions League do të tentojë të shijojë sërish magjinë e këtij kompeticioni edicionin e ardhshëm duke bërë maksimumin për të siguruar vendin e tyre në Evropë.

Verdhekuqtë e Eusebio Di Francescos që aktualisht renditen të tretët në klasifikimin e Serisë A me 73 pikë të grumbulluara kërojnë vetëm një fitore nga dy ndeshjet e fundit që ju takon të luajnë, për të vulosur njëherë e mirë vendin e tyre në arënën prestigjioze të Ligës së Kampionëve.

Kjo skuadër vjen në përballjen e së dielës në formë mjaft pozitive çka nënkupton se shanset e tyre për të shënuar fitoren e 7 në 10 takimet fundit janë optimale.

Në ndeshjen e fundit që verdhekuqtë kanë zhvilluar arritën të merrnin fitoren 0-1 ndaj Cagliarit.

Gjithsesi, në prag të këtij dueli vijnë në ndihmë dhe statistikat me bardhezinjtë që janë skuadra e dytë pas Interit përballë të cilëve Roma shënon numrin më të madh të humbjeve në Serinë A, plot 80 të tilla, gjithashtu Juventusi ka arritur suksesin në 6 nga 9 takimet e fundit me Romën në kampionat, duke e ruajtur portën të paprekur në 5 takime.

Verdhekuqtë vijnë të pamposhtur në tre takimet e fundit në shtëpi ndaj Juves. Roma zbret ne Olimpico pas katër fitoresh rradhazi në kampionat ndërsa bardhezinjtë shënojnë një sukses prej 12 sfidash pa shënuar humbje në transfertat e Serisë A dhe në vetëm katër ndeshje prej tyre kanë pësuar gol, përcjell “SuperSport”.

Masimiliano Allegri ka përsëritur rekordin e tij të pikëve këtë sezon duke numëruar deri më tani 91 të tilla sikundër edhe në edicionin e 2016/17 dhe 2015/16 po me Juventusin.

Edhe në rast barazimi matematika e shpall kampione të Italisë Zonjën e Vjetër ndërkohë që Roma do të siguronte vendin në Champions League. Takimi me sfidën e emocioneve ju pret të dielën në 20:45.