Sport

Rivaldo: Neymar bëri gabim që u largua nga Barcelona

“Neymar bëri një gabim, duke u larguar nga Barcelona. Megjithatë, klubi katalanas duhet të bëjë gjithçka për ta rikthyer”. Kështu mendon ish-lojtari i gjigantëve të La Liga-s, kampion bote me Brazilin, Rivaldo.

27-vjeçari brazilian u bashkua me PSG për një marrëveshje rekord botëror 222 milionë euro në verën e vitit 2017.

Një delegacion nga Barça u raportua se ka qenë në kryeqytetin francez të martën për të diskutuar mundësinë e transferimit të Neymar në “Camp Nou”, para mbylljes së merkatos, më 2 shtator.

Real Madridi, gjithashtu, është përfolur se interesohet për sulmuesin, por Rivaldo, i cili luajti me Barçën midis 1997 dhe 2002, ka kërkuar nga katalanasit që të veprojnë me vendosmëri dhe të mos lejojnë një klub tjetër ta blejë atë.

“Të gjithë e dinë se çfarë ndodhi me Neymar. Largimi i tij nga Barcelona ishte e gabuar. Ai kurrë nuk duhej të ishte larguar nga njëri prej klubeve më të mëdha në botë. Tani është në ankth që të kthehet dhe të pranojë kësisoji gabimin e tij, – shkroi Rivaldo në Instagram. – Shpresoj që presidenti dhe anëtarët e tjerë të bordit drejtues të Barcelonës të mos e lejojnë atë të shkojë në një klub tjetër. Nëse gjithçka zgjidhet me PSG, ai mund të kthehet atje, prej nga nuk duhej të ishte larguar kurrë”. /FaktePlus