Rajon & Botë

Rifillon procesi gjyqësor kundër të përditshmes së opozitës “Cumhuriyet”

Procesi gjyqësor për bashkëpunëtorët e gazetës së opozitës “Cumhuriyet”, akuzuar për aktivitete terroriste, një çështje që rrit shqetësimet lidhur me përkeqësimin e lirisë së shtypit në Turqi, filloi sot në Stamboll.

Në total, 17 drejtues, gazetarë dhe punonjës të tjerë aktual apo që kanë punuar në të kaluarën të “Cumhuriyet”, katër prej të cilëve janë në paraburgim, janë akuzuar se kanë ndihmuar tre organizata terroriste të armatosura. Ata rrezikojnë deri në 43 vjet burg.

Pak para fillimit të seancës, disa dhjetëra mbështetës të “Cumhuriyet”, një e përditshme shumë kritike ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan, ishin mbledhur para Gjykatës së Caglayan duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Drejtësi për gazetarët”.

“Ky proces është simbol i përpjekjes që parashikon të heshtë lirinë e fjalës në Turqi sot. Ai është simbol i presioneve të ushtruara kundër gazetarëve”, deklaroi një avokate, Me Gülendam San Karabulutlar.

Shtatëmbëdhjetë bashkëpunëtorët e gazetës janë akuzuar për mbështetje të tre grupeve konsideruar si terroriste nga Ankaraja, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK, lëvizje separatiste kurde e armatosur), organizata e ekstremit të majtë Partia e Frontit Revolucionar për Lirinë e Popullit (DHKP-C), si dhe lëvizja e predikuesit, Fethullah Gulen.

Ky i fundit u cilësua nga Ankaraja si truri i përpjekjes për grusht shteti më 15 korrik 2016.

the authorE B