Rektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa, priti sot në një takim ekipin fitues të studentëve të AAB-së, të cilët ngadhënjyen në turneun e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, në futsall, të organizuar për nder të Festës së Flamurit Kombëtar.
Rektori Tafa e vlerësoi pjesëmarrjen dhe fitoren e ekipit përfaqësues të Kolegjit AAB në një garë të tillë, duke shtuar se “studentët tanë kishin një përfaqësim dinjitoz, sjellje shembullore dhe mbi të gjitha ata tash e tutje mbajnë edhe trofeun”.
Federata e Sporteve Universitare të Kosovës për herë të parë organizoi aktivitete sportive për nder të festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ku të drejtë pjesëmarrjeje kishin të gjithë studentët e institucioneve publike e jopublike të Kosovës.
Studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit të Kolegjit AAB, mposhtën të gjitha ekipet kundërshtare, duke dalë fitues të vendit të parë.
Suksesin e studentëve të AAB-së e bëri edhe më të veçantë shpallja e studentit të këtij kolegji, Latif Bytyçi, lojtari më i mirë i turneut, i cili duke falënderuar për pritjen e organizuar dhe mbështetjen e ofruar tha se “falënderimet kryesore i ka Kolegji AAB për mbështetjen e pakusht për studentët e tij, ndërsa ne si ekip do të mundohemi që gjithmonë ta shpërblejmë atë vetëm me fitore”. /Express/