Rajon & Botë

Refuzim kategorik i Madridit ndaj një kërkese për hetim të Këshillit të Evropës në Kataloni

Qeveria spanjolle kundërshtoi në mënyrë kategorike kërkesat e Këshillit të Evropës për të nisur sa më shpejt një hetim të pavarur në lidhje me akuzat e përdorimit të paprecedentë të dhunës policore gjatë referendumit të organizuar më 1 tetor në Kataloni, njoftoi sot komisioneri për të drejtat e njeriut, Nils Muiznieks.

“Organizimi i këtij referendumi u shpall i paligjshëm nga ana e gjykatës kushtetuese që u kërkoi autoriteteve për të bllokuar çdo iniciativë në kundërshtim me këtë vendim”, theksoi ministri i Brendshëm, Juan Ignacio Zoido Alvarez në përgjigjen e tij drejtuar më 6 tetor ndaj Muiznieks.

“Forcat e sigurisë vepruan në mënyrë të kujdesshme, në përputhje me rrethanat dhe në mënyrë proporcionale, me objektivin për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve”, shtoi ministri.

“Asnjë demokraci nuk mund të pranojë kërcënimin ndaj rendit kushtetues dhe integritetit të tij territorial që përbën vullnetin për të imponuar me anë të forcës një projekt për shkëputje”, përfundoi ai duke vënë theksin në mbështetjen e Spanjës ndaj veprimit të Këshillit të Evropës në mbrojtje të të drejtave të njeriut, demokracinë pluraliste dhe sundimin e ligjit”.

the authorE B