Duke udhëtuar me aeroplanë në drejtim të Rusisë, ku mund të hyjnë pa pasur viza në pasaportë, shtetasit e Kubës po vazhdojnë rrugën e tyre drejt Malit të Zi, Maqedonisë ose Serbisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në këto ish-republika jugosllave, ata ende mund të marrin vizë turistike prej tridhjetë ditësh për shkak të lidhjeve të vjetra diplomatike të Kubës me Jugosllavinë e dikurshme, prej të cilave dolën shtetet e pavarura sllave në Ballkanin Perëndimor.
Një vit pas qarkullimit të imazheve të refugjatëve që mezi po mbijetonin në Beograd, që shkaktuan zemërim anembanë botës, disa refugjatë po vazhdojnë të përballen me gjendje të mjerueshme në Serbi.
Përderisa të dhënat e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara tregojnë se ka rënie të numrit të refugjatëve të regjistruar në Serbi – prej rreth tetë mijë sa ishin në mars 2017 në më shumë se katër mijë në dhjetor – Mjekët pa Kufij raportojnë se janë qindra sosh që ende përballen me gjendje të vështirë gjatë qëndrimit të tyre nëpër kampet serbe.