Real Madridi planifikon ta përgatisë Martin Odegaardin për të qenë pasardhësi i Luka Modricit, në rast se ylli kroat vendos të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.
Luka Modrici ka kontratë në Santiago Bernabeu deri në qershor të vitit 2021. Për të do të ketë shumë klube të interesuara nëse ai vendos që këtë verë t’i japë fund karrierës tetëvjeçare me Los Blancos, transmeton Gazeta Express.
Kroati e pati të vështirë ta tregonte veten në muajt e parë pasi Zinedine Zidane u kthye në Real Madrid. Por, tani ai është kthyer në formën e mëparshme dhe është njëri ndër lojtarët kyç në skuadër.
Vendimi i tij për të ardhmen e vet këtë verë do t’i përcaktojë edhe planet e Real Madridit. Kjo pasi që drejtuesit e gjigantit spanjoll e shohin Martin Odegaardin si zëvendësuesin e përsosur për kroatin.
Norvegjezi është i huazuar në Real Sociedad deri në fund të vitit 2021, megjithatë Real Madridi mund ta kthejë atë në skuadër edhe më herët.
Odegaard e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta ketë një rol të rëndësishëm te Los Blancos dhe largimi potencial i Luka Modricit mund t’ia plotësojë atij pikërisht këtë dëshirë. /Gazeta Express/