Sport

Real Madridi, në gjendje kritike në Evropë

Real Madridi do të duhet të luftojë shumë për ta siguruar një vend në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, pasi që madrilenët e kanë siguruar vetëm një pikë nga dy ndeshjet hapëse.

Goli i barazimit, i shënuar në minutat e fundit nga Casemiro, bëri që Real Madridi t’i shmanget një disfate tronditëse kundër Club Brugge, që fillimisht kishte qenë në epërsi prej dy golash në ndeshjen që përfundoi me barazim 2:2, shkruan Marca.

Megjithatë, situata në Evropë për Real Madridin mbetet kritike.

Madrilenët do të udhëtojnë në Stamboll për t’u përballur me Galatasarayn më 22 tetor, duke e ditur se një ndeshje e madhe i pret ata. Vetëm katër ditë më vonë, ata do të ndeshen me Barcelonën në kuadër të La Ligës në “Camp Nou”.

Kjo është një situatë e re për Real Madridin, që zakonisht e kalon fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve me lehtësi. Rekordi i tyre më i keq pas dy ndeshjeve të para të fazës së grupeve, në 24 edicionet e Ligës së Kampionëve që kanë marrë pjesë, ka qenë tre pikë.

Por, barazimi me Club Brugge e bën situatën edhe më të komplikuar për “Los Blancos” ndeshjet e tyre të radhës në Evropë tashmë janë theksuar si më të rëndësishmet në kalendarin e tyre.

Radhën do ta ketë udhëtimi në Turqi, para se Galatasaray ta vizitojë stadiumin “Santiago Bernabeu”, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të fazës së grupeve.

Paris Saint-Germaini është mysafiri i tyre për ndeshjen e xhiros së pestë, para se “Los Blancos” të udhëtojnë në Club Brugge.

Për momentin, Real Madridi radhitet i fundit në tabelën e Grupit A, me vetëm një pikë të grumbulluar nga dy ndeshjet e para (një barazim dhe një humbje), ndërsa Paris Saint-Germaini kryeson me gjashtë pikë.