Aktuale

Raporti për zgjedhjet drejt përfundimit, pritet largimi i 6 “teknikëve”

Ministrat teknikë të Partisë Demokratike shumë shpejt pritet dorëzojnë tek kryeministri Rama dorëheqjet e tyre nga posti që mbajnë prej muajit maj. Ajo që pritet tashmë është firma e zëvendësministres Ledina Madija për të dhënat që kanë nisur ministrat e Partisë Demokratike mbi raportin që ata kanë hartuar mbi zgjedhjet e 25 qershorit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar dy ditë më parë se ministrat teknikë kanë bërë gati dorëheqjet për tu larguar nga zyrat ministrore. Ministrat e Lulzim Basha u vendosën bazuar tek marrëveshja me kryeministrin Edi Rama për të forcuar monitorimin e procesit zgjedhor, gjë që i dha fund edhe protestës 3-mujore të demokratëve në çadër, para Kryeministrisë.

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i Financave Helga Vukaj, i Drejtësisë Gazmend Bardhi, i Arsimit të Sportit, Mirela Karabina, i Shëndetë- sisë Arben Beqiri dhe i Mirëqenies Sociale, Xhuljeta Kërtusha do të dorëzojnë dorëheqjet, sapo zëvendëskryeministrja e vendosur nga PD-ja, Ledina Mandija të firmosë raportin mbi zgjedhjet e 25 qershorit. Burime nga ministritë e drejtuara muajit e fundit prej demokratëve bën me dije se dorëheqjet janë bërë gati dhe largimi i tyre do të bëhet sapo zv.kryeministrja të firmosë raportin me të dhënat mbi zgjedhjet. Ndërsa burime pranë zv.kryeministres bën me dije se raporti është drejt përfundimit dhe publikimi i tij do të ndodh brenda këtyre ditëve, gjë që do të thotë edhe largimi i ministrave teknikë. Deri në atë moment, ministrat teknikë do të vazhdojnë ushtrimin e detyrës siç ka ndodhur deri më tani.

Gjashtë ministrat e Partisë Demokratike u vendosën në post në bazë të një marrëveshjeje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, marrëveshje e cila ka nxitur debate dhe dyshime edhe nga politikanët. Marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës u bë për t’i dhënë më shumë mundësi opozitës që të kontrollojë punën e institucioneve të varësisë për të mos ndikuar në procesin e zgjedhjeve. Në kuadër të kësaj marrëveshje, gjatë muajit të fushatës u shkarkuan edhe shumë punonjës nga administrata, më të shumtë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për përfshirje në fushatën zgjedhore.

Ndërkaq, gjatë procesit zgjedhor janë denoncuar shumë problematika. Ka pasur denoncime për presione ndaj komisionerëve të partive të ndryshme, shit-blerje votash, marrje të kartave të identitetit dhe dhunë. Rastet e denoncuara kanë shkuar edhe në prokurori, por organi i Akuzës ende nuk ka dalë në një konkluzion për asnjë prej rasteve të denoncuara, pavarësisht se ligji zgjedhor ka forcuar ndëshkimet e abuzuesve me votën. Pritet të shikohet se çfarë denoncimesh dhe raportimesh të tjera kanë marrë ministrat teknikë të Partisë Demokratike dhe i kanë adresuar në raportin që ata kanë përgatitur për zgjedhjet e 25 qershorit, rezultati i të cilëve është miratuar pa kundërshtime edhe nga partia më e madhe opozitare.

Kjo do të mësohet kur zv.kryeministrja do të bëjë publikë raportin mbi zgjedhjet brenda këtyre ditëve. Ndërkaq, ajo që nuk mund të thuhet me siguri është hapi i kryeministrit Edi Rama pasi largimit të 6 ministrave teknikë. Kjo pasi procedura kushtetuese është e gjatë dhe nga ana tjetër në muajin shtator krijohet qeveria e re. Kushtetuta e parashikon që në rast largimi të një titullari ministrie, mblidhet Kuvendi për të miratuar emra të rinj, pas dekretit që jep Presidenti. Kuvendi është në një situatë të tillë, që Partia Socialiste e vetme nuk ka numrin e nevojshëm për të miratuar emra të rinj ministrash.

the authorE B