Rajon & Botë

Raportet: Trumpi mund të jetë afër njohjes së Jerusalemit

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se presidenti, Donald Trump, me gjasë do të shpallë se e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, gjatë një fjalimi javën e ardhshme, kanë raportuar mediat amerikane.

Reuters, CNN dhe organizatat e tjera të lajmeve, kanë raportuar dje se Trump, megjithatë, do të dëshironte që ta shtynte premtimin e tij nga fushata zgjedhore për ta lëvizur Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Izrael, nga Tel Avivi në Jerusalem.

Zyrtarët thanë se Trump, me gjasë do ta vazhdoj politikën e presidentëve të mëparshëm amerikanë për nënshkrimin e dokumentit për tërheqje gjshtëmujore nga respektimi i ligjit të vitit 1995, që kërkonte që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të lëvizte nga Tel Avivi.

Statusi i Jerusalemit është njëra nga çështjet më problematike të konfliktit shumëvjeçar ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve.

Palestinezët e shohin Jerusalemin lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Izraeli e ka aneksuar këtë pjesë dhe e ka shpallur si kryeqytet të vetin, por kjo lëvizje asnjëherë nuk është pranuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Shumica e shteteve i kanë ambasadat në Tel Aviv.

I pyetur për këto raporte, një zëdhënës i Këshillit për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se “nuk kemi asgjë për të shpallur”.

Një zëdhënës i presidentit të Autoritetit Pelstinez, Mahmud Abbas, ka tërhequr vërejtjen për efektet negative potenciale të lëvizjes së këtillë.

“Njohja amerikane e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, e shkatërron procesin e paqes”, tha zëdhënësi, Nabil Abu Rudeina./rel/

the authorE B