Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në takimin që po mbahet sot për themelimin e Asciacionit të komunave me shumicë serbe, ka deklaruar se kjo parti në Prishtinë përfundimisht është në opozitë, shkruan GazetaBlic.
Ai në fillimin e fjalimit, ka kërkuar nga të pranishmit që të bëjnë një duartrokitje për të ashtuquajturin, drejtorin e zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq – për të cilin ka thënë se e kanë arrestuar veç pse është serb.
“Kërkoj një duartrokitje nga ana juaj, për ata që i kanë arrestuar policia speciale veç pse ishin serb“. – ka thënë Rakiq, përcjellë GazetaBlic.
Ai ka shtuar se janë takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe se e kanë informuar për gjendjen e serbëve, ku njëherësh edhe kanë marrë vendimin përfundimtar që në Prishtinë, të mbeten opozitë.
“Të dashur vëllezër e motra, jemi takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Lista Serbe, me çka e kemi informuar atë për situatën në terren; Lista Serbe si përfaqësues absolut të serbëve në Kosovë, nuk sheh asnjë arsye që të vazhdojë ta mbështetë Qeverinë, dhe tashmë në Prishtinë jemi opozitë. ” – ka thënë ai. /GazetaBlic /