Kreu i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy paralajmëroi sërish sot se nuk do të lejojnë organizimin e një referendumi për vetëqeverisje në Katalonjë, duke i bërë thirrje ekzekutivit separatist katalanas për t’u treguar i matur dhe i mirëkuptueshëm.
“Shoqëria katalanase ka nevojë të jetë e mbrojtur kundër një projekti radikal dhe përçarës që po përpiqen t’ia imponojnë në mënyrë të fortë”, tha Mariano Rajoy gjatë një konference shtypi në Madrid, raporton AFP.
“Nuk do të ketë referendum më 1 tetor pasi nuk është kushtetues dhe as i ligjshëm”, u shpreh ai.
Në fillim të javës, presidenti katalanas Carles Puigdemont siguroi se do të ecë përpara pavarësisht rreziqeve për ndjekje penale dhe sanksione ndaj tij, dhe atyre që do të organizojnë referendumin.
Puigdemont deklaroi hapur se nuk ndihej i detyruar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që e ndaluan këtë proces zgjedhor, por vetëm nga dëshira e popullit katalanas që e solli në pushtet.