Qytetarët e Shqipërisë shprehen optimistë se vendi do të ecën në drejtimin e duhur pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.
Ata besojnë se do të ketë ndryshime në të mirën e vendit në shumë aspekte, për përmirësimin e mirëqenies së tyre, zhvillimit ekonomik dhe anëtarësimit në BE.
Qytetari nga Tirana Tition Bebeqi ka thënë për KosovaPress se pret nga këto zgjedhje të realizohen premtimet e dhëna nga liderët e partive në Shqipëri. Ai tha se sot ka votuar me dashuri dhe qetësi për demokraci.
“Votuam, normalisht se presim të paktën atë që e kanë premtuar të realizohen. Gjithsesi me dashuri, me qetësi për demokraci kemi votuar”, tha Bebeqi.
Qytetari nga Tirana Edmond Muhametaj konsideron se Shqipëria ka trasuar rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se ndryshimet gjatë viteve të fundit kanë qenë pozitive.
Muhametaj: Ndryshimet e katër viteve të fundit janë drastike
Video
“Ndryshimet e këtyre katër viteve të fundit janë drastike, sepse Shqipëria nëse ka qenë ndonjëherë në një trase drejt BE kjo është rruga që ka zgjedhur Edi Rama”, tha Muhametaj.
Edhe Ramiz Rama nga Tirana tha se pret ndryshime pozitive që çojnë Shqipërinë përpara, pasi gjatë qeverisjes së fundit ka pasur mjaft probleme në arsim, shëndetësi dhe punësim.
“Patjetër se për ndryshime jemi që Shqipëria të shkojë përpara, si dhe Kosova. Deri tash ka pasur shumë probleme kam qenë këto ditë në Elbasan dhe ka pasur shumë probleme, sepse deputetët kur të zgjidhen ata duhet të vrasin mendjen t’i shërbejnë popullit. Përkundrazi, ka shumë deputetë që hallexhinjve nuk u përgjigjen për hallet që kanë për shëndetin, për punësimin, për problemet arsimore. Kam besim shume së Shqipëri do të bëhet më mirë, të ndryshojë dhe të ecën përpara, sepse është kandidate për anëtare në BE. Populli shqiptar dhe kosovar meriton shumë”, tha Rama.
Ndërsa, Hydajet Buzi i cili sot shfrytëzoi të drejtën e tij demokratike tha se ka dëshirë për ndryshime, që Shqipëria të ecën në drejtimin e duhur.
“Deri më tani kemi votuar normalisht pa probleme dhe gjendja është e qetë. Dhe uroj që të jetë gjithandej kështu. Kemi dëshirë për ndryshime, që Shqipëria të ecën përpara në drejtimin e duhur. Gjithmonë shpresojmë që do të bëhet më mirë dhe jemi optimistë se do të bëhet më mirë”, tha Buzi.
Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të drejtë vote kanë 3 milionë e 452 mijë e 260 qytetarë.