Qytetarët e Prishtinës në përgjithësi janë të kënaqur me shërbimet komunale, punën e kryetarit të komunës dhe drejtorive komunale, derisa në listën e pakënaqësive dominojnë mungesa e parkingjeve publike, pamundësia për të lëvizur lirshëm në trotuare, mirëmbajtja e rrugëve, si dhe mungesa e aktiviteteve sportive dhe rinore. Negativisht është vlerësuar edhe puna e Kuvendit Komunal.
Kështu thuhet në raportin “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë”, i publikuar sot nga Organizata Iniciativa për Progres.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në INPO, tha se më shumë se tre e katërtat e qytetarëve të Prishtinës janë të kënaqur me shërbimet e administratës komunale, të cilat janë për pajisje me dokumente të gjendjes civile, leje ndërtimore dhe leje biznesi.
Sipas saj, 76 për qind të qytetarëve janë të kënaqur apo shumë të kënaqur me shpejtësinë dhe saktësinë e marrjes së këtyre shërbimeve.
“Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë në të gjitha shërbimet komunale të cilat i ka matur INPO, është 58.37 për qind pozitive, ndërsa negative 34.23 për qind. Anketimi është realizuar sy më sy, duke përdorur pyetësorin me pyetje të mbyllura të zhvilluara nga INPO, pyetësori ka mbajtur gjithsejtë 36 pyetje të ndara në 15 fusha apo kompetenca vetanake, ndërsa fusha e fundit e matjes së kënaqshmërisë përfshinë kënaqshmërinë me organet e pushtetit lokal, me kryetarin e komunës dhe kuvendin komunal, gjithashtu, ka matur edhe nivelin e informimit të qytetarëve për punën e komunës”, tha Nrecaj.
Në raport thuhet se cilësia e arsimit para-universitar është vlerësuar e kënaqshme nga qytetarët. 60 për qind janë deklaruar të kënaqur apo shumë të kënaqur, ndërsa 31 për qind kanë shprehur pa kënaqshmërinë me cilësinë e arsimit para-universitar.
Shpend Mustafa, hulumtues në INPO, gjatë prezantimit të raportit tha se më shumë se gjysma e prishtinasve janë të kënaqur me shërbimet shëndetësore që ofrohen nga QKMF-ja. Po ashtu infrastruktura e ambienteve shkollore, sipas tij, vlerësohet pozitivisht nga qytetarët.
Mustafa tha se në përgjithësi qytetarët janë të kënaqur me shërbimet e ndërmarrjeve publike lokale, apo rajonale që bëjnë furnizimin me ujë dhe grumbullimin e mbeturinave. Ai shtoi se numri i shesheve dhe parqeve në Prishtinë është i kënaqshëm për më shumë se gjysmën e qytetarëve.
“60.50 për qind e qytetarëve deklarojnë se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me cilësinë e arsimit para-univeristar në komunën e Prishtinës, ndërsa 31.43 për qind e qytetarëve deklarojnë se janë të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur . Me infrastrukturën e ambienteve shkollore ku mbahet procesi mësimor në komunën e Prishtinës. 64.03 për qind e qytetarëve të Prishtinës janë të kënaqur. Me trotuaret, gjerësinë, gjatësinë dhe mundësinë e qytetarëve për me lëviz lirshëm, kemi një përqindje prej 58.48 për qind që janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur”, tha Mustafa.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se të gjitha këto vlerësime do të ndikojnë pozitivisht gjatë planifikimit buxhetor për të ardhmen. Ai tha se këto assesi nuk do t’i japin luks udhëheqjes komunale, por do të punojnë edhe më tej për ngritjen e nivelit të shërbimeve administrative.
“Kjo absolut nuk na sjell neve në një pozitë ku do t’i japim vetes luks që të jemi të kënaqur, edhe që mos të ndikojmë në rritjen e këtyre performancave. Disa pozicione, të cilat u përmenden gjatë prezantimit praktikisht janë pozicione, të cilat ne jemi dhe kemi qenë të përkushtuar. Ju garantoj se deri në përfundim të këtij mandati disa nga këto shërbime vetëm sa do të kenë rritje të përqindjes, sepse janë edhe tri-katër projekte në përfundim e sipër që kanë të bëjnë konkretisht për shërbime ndaj qytetarëve”, theksoi Nushi.
Ai siguroi se në mandatin e dytë të mundshëm të kryetarit Shpend Ahmeti do të eliminohen edhe pakënaqësitë e qytetarëve për parkingjet dhe hapësirat lëvizëse në trotuare.
Ndërsa, Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administratës së Pushtetit Lokal, tha se komuna e Prishtinës ka treguar efikasitet me një trend pozitiv. Ajo tha se në këtë komunë ka transparencë të lartë prej 90 për qind.
“Sa i përket performancës komunale nga viti në vit, pavarësisht vështirësive dhe sfidave, është evidentuar progres në shumë fusha. Një performancë e mirë në kulturë, rini dhe sport, menaxhimin e fatkeqësive deri në nivelin 97 për qind, transportin publik deri në nivelin 74 për qind dhe në menaxhimin e mbeturinave. Ndër arritjet tjera, vlen të theksohet se shkalla e punësimit të fermave është në nivelin 58 për qind, një arritje mjaft e lartë”, tha Ukimeraj.
Gjatë këtij prezantimi, vërejtje pati kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Pastrimi”, Feim Salihu, i cili theksoi se po anashkalohet nga autoritetet udhëheqëse komunale dhe mbetet i pa dëshirueshëm për kryetarin Shpend Ahmeti, si kryeshef i NP Pastrimi.