Në Diagnostikën e radiologjisë intervente, degë e Klinikës së Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për herë të parë është kryer një procedurë e re, që më parë nuk ishte realizuar tek ne.
Bëhet fjalë për procedurën e vizualizimit të enëve venoze të gjymtyrëve të poshtëm tek pacienti mashkull 32 vjeçar, e cila njihet si venografi me tomografi të kompjuterizuar(CT) të cilën e ka kryer ekipi që udhëhiqet nga dr. Bujar Gjikolli.
Sipas njoftimit të QKUK-së, ekipi mjekësor përbëhej nga Dr. Bujar Gjikolli, bashkë me Dr. Edona Sopaj, teknik Ismet Asllani dhe tekniken Fatime Sadiku, arriti të ndihmoj në diagnostikimin e saktë të gjendjes së venave tek pacienti që vuante nga problemet me venat e këmbës së djathtë dhe parandaluan nevojën për shpenzime të larta të diagnostikimit jashtë vendit.
Në botën moderne para shumë vjetëve është ndërprerë praktikimi i metodës klasike të vizualizimit të venave të gjymtyrëve e cila njihej si flebografia dhe tani diagnostikimi i venave po realizohet me tomografi të kompjuterizuar./KosovaPress/