Aktuale

Qeverisja në Prishtinë, ajo që donë VV në komunat tjera

Qeverisja në Prishtina tregon se çfarë qeverisje e donë Lëvizja Vetëvendosje edhe në komunat tjera. Kështu ka thënë kryetari i kësaj partie, Visar Ymeri në tryezën e organizuar me temën “Rëndësia e pushtetit lokal”, ku morrën pjesë drejtues të VV-së, shoqërisë civile dhe kandidatët për kryetar komunash.

Ymeri theksoi se Komuna nuk mund të jetë asgjë tjetër, përpos e përbashkëta, pasi vet emri komunë tregon se ajo është diçka e përbashkët që u takon qytetarëve dhe në mënyrë të barabartë e gëzojnë ku jetojmë.

Duke folur për mënyrën e qeverisjes, kreu i Partisë së Vetëvendosjes, shtoi se nëse merren sot investimet që janë bërë në Prishtinë, ato në shëndetësi, investimet në krijimin e hapësirave për prodhuesit vendor, infrastrukturë, kjo tregon qartë çfarë shoqërie dhe çfarë komunash dëshiron Vetëvendosje.

Sipas tij, së bashku do ta ndryshojnë komunën sepse duan ta ndryshojnë vetveten.

“Prej vitit 2013 Prishtina iu është kthyer qytetarëve, deri në vitin 2013 njësoj e tjetërsuar si territor, si hapësirë, si pushtet dhe si administratë. Komunën në shumicën e rasteve e kanë lidhur me interesin privat dhe administratës së korruptuar. Hapësirën publike na e kanë kthyer kundër si të privatizuar, ndërkohë që interesin publik na e kanë ndërmjetësuar përmes përfitimeve private. Pushteti ka marrë karakterin privat që ka lidhjet e veta gati se tregtare me qytetarët. Kjo na kthen të gjithëve nga qytetarë në klient, nga përfitues të shërbimeve në përfitues të pushtetarëve. Komuna ditëve të sotme i kthen të mirat publike në mallra tregu ku kanë qasje vetëm të pushtetshmit”, theksoi Ymeri.

Ndërsa, Besnik Bislimi foli për decentralizimin, ku tha se në Kosovë decentralizimi është shumë i varfër pasi kjo shihet edhe nga buxheti që i alokohet komunave.

“Në rrafshin real decentralizimi në Kosovë është shumë i varfër. Kjo shihet edhe nga buxheti që i alokohet komunave, shembull në vitin 2017 të gjitha komunat kanë pasur buxhet të përbashkët prej 440 milionë eurove që është diku 22 për qind e buxhetit, por nëse merret në raport me të ardhurat kombëtare është diku 6 për qind. Brenda këtij 6 për qindëshit pjesa më e madhe është fiksuar qysh në start, që do të thotë se komuna nuk ka kurrfarë diskrecioni në manipulimin me këto shifra. Në rastin e Kosovës nga 440 milionë që i alokohen komunave, 250 milionë janë të dedikuara për paga, kështu që komunat nuk kanë kurrfarë hapësira manovruese në këtë fushë”, theksoi Bislimi.

Sipas tij, në Kosovë në vazhdimësi sa ka qenë PDK-ja në pushtet, në mënyrë mbi proporcionale ka favorizuar disa komuna, siç janë Skenderaj apo Drenasi, ku pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale është financuar nga qendra. Po ashtu, Bislimi tha se njëjtë ka vazhduar edhe me LDK-në kur ka marrë Ministrinë e Financave, ku komuna e Podujevës 80 për qind të projekteve i janë financuar nga qendra, vetëm 20 nga burimet vetanake, përderisa për Komunën e Prishtinës, 95 për qind e projekteve kapitale financohen nga të hyrat vetanake, ndërsa, qendra e financon me vetëm 5 për qind.

Për mënyrën e qeverisjes komunale foli kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se e kanë çliruar kryeqytetin nga një rreth i cili përmes interesave të ndryshme i ka mbajtur disa njerëz në pushtet.

Ahmetin theksoi se në fund të mandatit të tij nuk dëshiron të matet se sa metra asfalt ka shtruar, as sa poqa elektrik ka ngjitur, por se sa e ka krijuar një qytetarë aktiv, por, ua ka rikujtuar kolegëve të tij të partisë që të mos i anashkalojnë qytetarët.

“Me e rëndësishmja ka qenë kontakti me qytetarë dhe tubimet me qytetarë, mos i harroni asnjëherë se janë tepër të rëndësishme në qoftë se duam të organizojmë çfarëdo karakteri që ka interesin publik në vete. Po, është individi, por komuniteti apo lagjja është baza e organizimit në çdo komunë. Ata funksionojnë bashkë, nuk e njeh me mirë askush organizimin se sa 20 familje që jetojnë me një hyrje dhe që e dinë për çdo ditë dhe çdo hyrje i ka gardianët e vet, dikush që shikon kush po vjen të parkohet aty, sikush që shikon sa gropa janë, dikush sa llampa s’po funksionojnë. Në vitin 2014, 2015 dhe 2016 përafërsisht nga 50 tubime me qytetarë, 50 tubime në vit me qytetarë janë 25 herë më shumë se kërkesa ligjore, me ligj duhet t’i keni dy tubime në vit. 50 tubime kanë filluar me nga 20 persona në tubim, në fund të vitit 2016 nuk ka pasur tubim që i kemi pasur më pak se 200 veta. Në ato tubime nuk janë të leht a sepse askush nuk vjen me iu thënë je duke punu mirë. Në tubime me lagje vijnë njerëz që kanë telashe, secili nga ta ka një telashe, nga telashe individuale, deri tek një hall i madh i lagjes, por ndryshimin që kemi vërejtur edhe në diskutim edhe në diskurs të komunitetit është i jashtëzakonshëm”, tha Ahmeti.

Besa Shahini nga shoqëria civile kërkoi që komunat të bëjnë më shumë rreth ngritjes së cilësisë së arsimit, duke ditur se testi PISA vitin e kaluar renditi Kosovën tepër keq. Ajo theksoi se nuk duhet ndërtuar vetëm objekte të shkollave, porse cilësia duhet të jetë më prioritare.

“Çka mund të bëjë komuna, duhet të shkoj përtej sigurimit të ndërtimit të shkollave dhe thjeshtë punësimi i drejtorëve, punësimi i mësimdhënësve, mund të bëjë shumë më shumë. Leximi është problem, ka probleme të shumta, por nëse flasim për leximin që është baza, atëherë duhet të adresohet lexueshmëria. Të gjitha studimet që kam lexuar deri tash lexueshmëria adresohet përmes leximit më të madh. Leximi ndodh kur ka libra më afër fëmijëve, e për t’i sjellë librat më afër fëmijëve, bibliotekat shkollore duhet të jenë shumë më të pasuruara se sa janë sot. Por nuk mjaftojnë vetëm librat, duhet krijuar programe që i shtyn fëmijët për të lexuar, pra klube të leximit”, u shpreh ajo.

Anëtari i Komitetit për Drejtësi dhe Jurispodencë në Lëvizjen Vetëvendosje, Xhavit Mustafa ka theksuar se komunat në Kosovë funksionojnë sipas planit të Ahtisarit, i cili edhe pse i ka bërë 10 vjet, nuk është funksionalizuar si duhet.

Ai ka ftuar kryetarët e komunave që të marrin iniciativa për të ndërruar këtë plan.

“E meta më e madhe e themelimit të komunave sipas këtij plani është baza etnike, e cila e largon komunitetin pakicë dhe shumicë nga punët e komunave. Për shembull në komunat ku ekzistojnë komunat me shumicë serbe, komunitetet tjera kanë shumë pak qasje sepse nuk kanë as përfaqësues në ato vende dhe ajo është një pengesë për atë komunitet. Afër Prishtinës kemi Komunën e Graqanicës ku eventualisht vetëm 1-2 asambleist mund të marrin pjesë me vota sepse është edhe numri i vogël i popullsisë. Unë mendoj se ka ardhur koha që iniciativa duhet të rrjedhë edhe prej komunave, që të ndërrohet plani që të bëhen ndryshime në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Edhe drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu foli për vështirësitë e qeverisjes lokale, derisa pati kërkesa për kolegët e tij që kanë kandiduar për kryetar komune në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

“Prandaj rëndësia e komunikimi me komunitetit është jashtëzakonisht e madhe edhe në fushatë, edhe në pushtet pastaj. Tash në fushatë në pikat në strukturat që kemi, atë që tha kryetari Shpend Ahmeti, ju do t’i mbledhni të gjitha kërkesat e tyre dhe ata do të organizohen se ato kërkesa do të kryhen edhe nëse do ta kemi qeverisjen ne, jo vetëm kundrejt qeverisjes së tjetrit dhe kësisoj me shndërru qytetarin aktiv po ashtu të organizuar edhe gjatë qeverisjes. Ne se kemi pasur problem të ballafaqohemi me asambleistat e PDK-së e LDK-së, problem e kemi pas me ata të VV-së”, u shpreh Aliu.

Pas tryezës, ka vazhduar edhe trajnimi i kandidatëve për kryetar të komunave

the authorE B