Aktuale

Qeveria thotë se tërheqja e Listës Serbe nuk është definitive

Përkundër se nuk po marrin pjesë në mbledhjet e kabinetit, madje kanë paralajmëruar edhe tërheqjen nga Kuvendi, Qeveria e Kosovës po thotë se largimi i Listës Serbe ende nuk është definitiv.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ditë më parë mohoi kategorikisht se partia e tij do të rikthehet në qeveri.

Madje kërkoi nga partitë që sa më shpejtë të caktojnë datën e zgjedhjeve.

“Qëndrimi që u tregua ndaj popullit serb dhe përfaqësuesve të serbëve atë ditë në Mitrovicë është një tregues i të Qeverisë ndaj Listës Serbe dhe serbëve. Ne në një qeveri të tillë nuk mund të kthehemi”, tha Simiq ditë më parë.

Zyrtarët serbë konfirmuan qëndrimet e tyre edhe në mbledhjet e fundit të qeverisë, ku nuk morën pjesë. Madje paralajmëruan tërheqje edhe nga Parlamenti.

Por nga qeveria duket se kanë ende shpresa që Lista Serbe mund të rikthehet.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur për lajmi.net, se ende nuk po mendojnë për zëvendësimin e ministrave serbë.

Sipas saj, largimi i Listës Serbe nga qeveria ende nuk është vendim definitiv.

“Së pari, tërheqja e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës është çështje në proces që nuk ka marrë karakter definitive”, thuhet në përgjigje.

Gashi tutje ka folur edhe për emrin që pritet të jetë zëvendësues i Flamur Sefajt.

Zëdhnësja e qeverisë ka thënë se punët e ministrit Sefaj aktualisht po kryen nga zv/ministri.

“Dhe sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme është çështje për të cilën partnerët e koalicionit vendosin dhe derisa të vendosin, këtë funksion e kryen zëvendësministri”, ka thënë Gashi.

Ajo është shprehur e bindur se të gjitha këto procese do të përmbyllen në afat optimal.

Lista Serbe u largua nga qeveria pas arrestimit të Marko Gjuriqit nga ROSU në Mitrovicën e Veriut.

Akualisht, qeveria e Kosovës ka katër ministra më pak pas shkarkimit të Flamur Sefajt nga Ministria e Brendshme.

Pa liderë aktualisht janë edhe ministria e Bujqësisë, e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dhe ajo për Kthim dhe Komunitete.

the authorE B