Sport

Qeveria spanjolle mendon t’i kthejë tifozët në stadiume nga 29 qershori

Mediumi spanjoll Cadena Cope raporton se qeveria spanjolle është duke e shqyrtuar mundësinë që tifozët të kthehen në stadiume gjatë ndeshjeve që nga 29 qershori, që dëshmohet nga dokumenti i siguruar nga takimi i Këshillit të Ministrave.

Pas ndërprerjes së detyrueshme në mars shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, La Liga do të rinisë qysh këtë javë, nga 11 qershori, mirëpo pa tifozë të pranishëm në stadiume, transmeton Gazeta Express.

Shumë klube spanjolle kanë kërkuar që t’u lejohet të luajnë me tifozë të pranishëm në stadiume, shkaku edhe i zbutjes së disa masave të tjera të cilat ishin marrë si masë parandaluese nga qeveria spanjolle.

Tani, burimet e Cadena Cope zbulojnë se qeveria spanjolle është duke e shqyrtuar mundësinë që tifozët të mund të kthehen në stadiume nga 29 qershori.

Në takimin e sotshëm, Këshilli i Ministrave aprovoi qasje publike për eventet sportive si ndeshjet e futbollit.

“Adminstratorët përgjegjës duhet të sigurohet që ambientet ku zhvillohen aktivitetet sportive, qoftë individuale apo ekipore, duhet të jetë në pajtueshmëri me rregullat për vendosjen e tifozëve, dezinfektim dhe parandalim”, thuhet në udhëzimet qeveritare.

“Duhet të sigurohet që të ketë distancë minimale prej 1.5 metrash, si dhe të ketë kontrolle për t’i shmangur turmat. Kur s’do të jetë e mundur të respektohen rregullat për distancë, duhet të merren masat e nevojshme higjienike për ta parandaluar infektimin”.

the authorGazetaKNN