Aktuale

Qeveria shpreson se demarkacioni do të nxirret për votim brenda muajit

Ende nuk ka datë se kur do të ndodh riporcedimi i Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Por zyrtarët qeveritar shpresojnë se një gjë e tillë do të ndodh brenda muajit prill ashtu siç edhe është paralajmëruar nga vetë kryeministri Isa Mustafa.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëhersh edhe Këshilltar politik i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj tha të premten për Express se nuk dihet kur do të nxirret për votim në Kuvend shënjimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

“Date për procedimin e Demarkacionit në Kuvend ende nuk ka, por shpresojmë që ai të procedohet brenda muajit prill për tu votuar”, tha Gecaj.

Ndërkohë që thirrje për ta votuar Demarkacionin me Malin e Zi u bënë edhe dje nga dy figura të larta ndërkombëtare që e vizituan Kosovën.

Ishte senatori amerikan John McCain dhe ministri i Jashtëm Gjerman Sigmar Gabriel të cilët ia bënë të qartë Kosovës se shënjimi i kufirit me Malin e Zi duhet të ndodh pasi vetëm në këtë mënyrë kosovarëve do t’iu liberalizohen vizat.

Koalicioni qeverisës PDK-LDK ende nuk po arrin t’i sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, sado që kjo marrëveshje ka gati dy vjet prej se është nënshkruar (26 gusht 2015).

Ishte edhe opozita ajo që përmes gazit lotsjellës dhe gjësendëve të tjera që i përdorën brenda sallës së Kuvendit për ta pamundësuar ratifikimin e Demarkacionit./D.K./GazetaExpress/

the authorE B