Aktuale

Qeveria dhe AKP dështojnë në lirimin e pronave të uzurpuara në veri

Edhe përkundër premtimeve të Qeverisë dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit për lirimin e qindrave pronave në veri të Kosovës, tani e 18 vjet pas çlirimit, ato vazhdojnë të tjetërsohen dhe të mos kalojnë në pronësi të AKP-së, në mënyrë që të jepen me qera apo të dalin në privatizim.

Pavarësisht se drejtues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), deklarojnë se kanë bashkëpunim të mirë me kryetarin komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, ende nuk ka rezultate të dukshme për lirimin e 25 pronave të uzurpuara që janë të evidentuara nga AKP në atë pjesë.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi thotë se çështjen e trajtimit të ndërmarrjeve shoqërore të uzurpuara në komunën e Mitrovicës së Veriut fillimisht e kanë menduar ta bëjnë në mënyrë institucionale me drejtues të komunave, për çka janë në negocim jointensiv. Andaj, nuk ka mënyrë tjetër nga AKP-ja, për trajtimin e pronave të uzurpuara në atë pjesë.

Ndërsa, njohës të çështjes së ekonomisë thonë se AKP nuk ka të dhëna të sakta për numrin e pronave të uzurpuara në veri dhe as që do të ketë mundësi AKP t’i lirojw ato prona.

“Pjesën kryesore të aseteve i kemi në komunë e Mitrovicës së veriut dhe pjesën uzurpimeve e kemi kryesisht në komunën e Mitrovicës veriut. Kemi bashkëpunim vërtet shumë të mirë me komunën e Mitrovicës së veriut por jo shumë rezultate të dukshme sa i përket lirimit të pronave të uzurpuara. Po besoj që në ditët në vijim do të kemi rezultate konkrete.”, theksoi kryetari i bordit të AKP-së, Petrit Gashi.

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri për KosovaPress theksoi se uzurpimi i pronave nuk është problem vetëm në veri të Mitrovicës, por në të gjitha komunat ku udhëheqin pushtetin lokal nga kryetarët serb.

Shatri thotë se AKP-ja nuk ka evidenca fare sa pasuri ka në veri dhe nuk kanë mundësi as t’i nisw procedurat për privatizim.

“Thjesht jo vetëm në veri por edhe brenda në Kosovë, ata nuk bashkëpunojnë me AKP-në, AKP-ja nuk ka informacione, mund të ketë vjedhur ndonjë informacion, i kanë gjetur diku nga shënimet e vjetra dhe ndoshta e dinë, por praktikisht janë jashtë dorës së tyre dhe ata s’kanë mundësi me ditë se çfarë po ndodhë, kush i shfrytëzon, a paguajnë qira apo jo, a janë në komercializim, a kush i shfrytëzon. Andaj, asgjë nuk kanë, kështu që për këtë duhet Qeveria, Kuvendi, institucionet tona me shtrirë kompetencat e veta në gjithë territorin në bazë të kushtetutës. Nuk po them që është metoda më e mirë, por të paktën me këtë metodë të brendshëm të privatizohen edhe ato në veri”, theksoi Shatri.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj thotë se përveç evidentimit të pronave të uzurpuara në veri AKP, duhet të jap raport edhe për hapësirat gjeografike se ku gjenden pronat e uzurpuara.

“Besoj që do të duhej të ishte një konstatim në raport me hapësirat gjeografike se ku janë ato prona të uzurpuara për të mund të pasur një lloj ndikimi në pjesën veriore apo jo, sepse dihet që kjo është pikë goxha e ndjeshme”, thotë deputeti Beqaj.

AKP po synon të paktën të përfitojw edhe nga qira-marrja nga këto prona të uzurpuara në veri të Kosovës.

the authorE B