Ekipi francez është shumë pranë kalimit në çerekfinale. Një mbrëmje magjike për Paris Saint-Germain që arrin të fitojë me rezultat të thellë prej 4:0 ndaj Barcelonës në ndeshjen e zhvilluar në Parc des Princes.
Kampioni i Francës e dominoi që nga fillimi e deri në fund këtë sfidë, duke e bërë Barçën të duket si një skuadër e niveleve më të ulëta. Më meritori për fitoren e PSG ishte argjentinasi Angel Di Maria, që realizoi në minutat 18 dhe 55, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Julian Draxler (40’) dhe Edinson Cavani (72’), transmeton KosovaPresss.
Nën hije përgjatë 90 minutave ishte treshja e sulmit të Barcelonës, Messi, Suarez dhe Neymar që nuk arritën asnjëherë të rrezikonin portën e Kevin Trapp.
Pas kësaj disfate të turpshme Barcelona është me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve edhe pse do të provojë që pas dy javësh të bëjë mrekullinë.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, u takuan Benfica dhe Borussia Dortmund. Edhe këtu ekipi vendas u tregua më i mirë duke triumfuar 1:0. Golin e vetëm për skuadrën portugeze e realizoi Kostas Mitroglou në minutën e 48-të.
Dortmund kishte mundësinë që të barazonte por Pierre Emerick Aubameyang dështoi nga penalltia në minutën e 58-të.