Prokuroria ka kërkuar masë të paraburgimit për babanë që mbyti djalin e tij 14-vjeçar dje në fshatin Karaçevë e Poshtme e Kamenicës. Gani Bërnjashi rrahu keq djalin e tij dhe e mbajti për 4 orë të mbyllur në dhomë, pa tretman mjekësor.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra, ka konfirmuar për Express se kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjilanit për caktimin e masës së paraburgimit për Gani Bernjashin është marrë, por Gjykata ende nuk ka vendosur për masën e paraburgimit.
“Seanca është mbajtur dhe pritet shumë shpejt të përpilohet vendimi”, tha Shkodra.
Gazeta Express ka raportuar dje për këtë rast makabër dhe arsyet që çoi babanë ta mbytë djalin e tij 14-vjeçar.
Për shkak se i mituri Luan Bernjashi ia mori babait rreth 1 mijë euro, ai e rrahu aq keq dhe e la të mbyllur në dhomë, pa asnjë tretman mjekësor.
Luan Bernjashi ndërroi jetë pas 4 orëve, në orët e para së ditës së enjte.