Sport

Prishtina e do të katërtën

Dueli ndërmjet Hajvalisë dhe Prishtinës do ta hapë xhiron e 26-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja do të zhvillohet sot në Kizhnicë, duke filluar nga ora 15:00.

Hajvalia po luan me lojtarë të rinj këtë sezon, por djelmoshat e kësaj skuadre kanë ditur t’ju shkaktojnë probleme Bardhekaltërve në ndeshjet paraprake. Prandaj, ekipi bardhekuq do ta kërkojë mrekullinë në përballje me gjigantin kosovar.

Sidoqoftë, prishtinasit janë në formë mjaft të mirë dhe do ta kërkojnë sot fitoren e katërt radhazi, e cila do t’i mbante në luftë për titull të kampionit.

“Krejt çka do të dihet sigurt nëse do të jemi në garë për titull është nëse Trepça ’89 dështon në ndeshjen e radhës (ndaj Dritës). Nëse gabojnë mitrovicasit, atëherë do të rihapet seriozisht gara për titull. Nga ana tjetër, ne nuk duhet ta nënçmojmë kundërshtarin e radhës (Hajvalinë)”, ka thënë ditë më parë për “Zërin” trajneri i prishtinasve, Arsim Thaqi.

Prishtinasit gjenden tetë pikë prapa kreut të tabelës dhe me fitore do të afroheshin në pesë pikë, duke shpresuar që ’89-shi ta bëjë kiksin e radhës në Gjilan ndaj Dritës.

Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje. Feronikeli e kërkon fitoren në Mitrovicë në duel me Trepçën dhe kampioni nuk ka më vend për gabime nëse synon të mbetet në garë për titull. Por, edhe “Xehetarëve” u nevojiten pikët si “buka”. Në duelin tjetër Llapin e pret një punë e vështirë në Gjilan ndaj “Skifterëve”.

Trepça ’89, nga ana e saj, pas dy barazimeve rresht do të mundohet t’i kthehet fitores në Gjilan ndaj Dritës të dielën. Për këtë është i bindur edhe trajneri Zekirija Ramadani, i cili i ka thënë “Zërit” se mitrovicasit nuk kanë opsion tjetër veç fitores ndaj gjilanasve.

Në duelet tjera të së dielës, Besa e goditur nga dyshimet e fundit për kurdisje e pret Lirinë në Pejë, derisa Ferizaj do t’i bëjë konak Drenicës. Për ferizajasit, fitorja ka domethënie të madhe në luftën për t’i ikur barazhit.

Superliga – Java e 26-të

E premte

Hajvalia – Prishtina

E shtunë

Trepça – Feronikeli

Gjilani – Llapi

E diel

Drita – Trepça’89

Besa – Liria

Ferizaj – Drenica

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00