Mediat shtetërore të Sirisë raportojnë se presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka biseduar në telefon me homologun e vet iranian, Hassan Rouhani, pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj bazës ajrore të Sirisë javën që lamë pas.
Rouhani i ka quajtur sulmet ajrore të së premtes shkelje flagrante të sovranitetit të Sirisë, si dhe e ka afirmuar përkrahjen e vendit të vet për qeverinë e Assadit, transmeton Express.
Assadi e ka akuzuar SHBA-në se po tenton që t’ua rrit moralin grupeve terroriste në Siri. Qeveria siriane iu referohet si terroristë të gjithë personave që luftojnë kundër saj.
SHBA-ja ka thënë se sulmet ajrore ishin si kundërpërgjigje ndaj sulmit kimik në qytetin që kontrollohet nga rebelët, Khan Sheikhoun, i cili u krye javën e kaluar dhe faji për të i është hedhur në mënyrë të gjerë qeverisë siriane, e cila e mohon të ketë kryer sulme të tilla./Express/