Prej sot Mali i Zi edhe zyrtarisht bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike (NATO). Fakti që ky shtet i vogël ballkanik bëhet pjesë e saj, është shumë me rëndësi për Aleancën para se gjithash sepse ajo tani e kontrollon gjithë Adriatikun.
Në këtë mënyrë NATO i ka dhënë një goditje të rëndësishme Rusisë së cilës i është pamundësuar ndikimi në njërën nga detet e nxehta.
Anëtarësimin e Malit të Zi në NATO kanë paraprirë konfliktet e këtij shteti me Rusinë e cila një kohë të gjatë ka pasur ndikim të madh në të. Prejse qeveria malaziase u kthye kah Perëndimi, filluan mosmarrëveshjet të cilat arritën kulmin me lista të zeza në të dyja anët dhe me akuzat e Malit të Zi se Rusia ishte përzier në atentatin e pasuksesshëm ndaj ish kryeministrit Milo Djukanovic, transmeton gazetametro.net.
Burimi i afërt me diplomacinë ruse pohon se në listën e zezë në Rusi janë të gjithë anëtarët e qeverisë, 46 deputetë të parlamentit malazias të cilët kanë votuar për Protokoll për hyrje në NATO, si dhe drejtorët se shumë kompanive shtetërore.
Rusia, e cila kohë më parë ishte një prej investitorëve më të mëdhenj në Mal të Zi dhe banorët e së cilës me ëndje i kalonin pushimet verore në Mal të Zi, gjithnjë e më tepër po ndalon importin e prodhimeve malaziase dhe i ka bërë thirrje qytetarëve të vet që mos të udhëtojnë në këtë vend.
Dhe derisa disa malazias frikohen se do të varfërohen për shkak të marrëdhënieve gjithnjë e më të këqija të Malit të Zi me Rusinë, të tjerët konsiderojnë se anëtarësimi në NATO është lëvizje e mirë e cila do ta bëjë vendin më të sigurt dhe me më pak ndikim të politikanëve të vendeve të huaja.
“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk do të zgjedh problemet e brendshme në shtet. Është i domosdoshëm, por jo edhe mjaftueshëm që të stabilizoj dhe të konsolidoj demokracinë në Mal të Zi”, është qëndrimi i Janush Bugajski’t nga Qendra për analizë të politikave evropiane nga Uashingtoni.
Ai për radion shtetërore të Malit të Zi ka thënë se është i bindur se Rusia nuk do të heq dorë aq lehtë nga Mali i Zi dhe nga fqinjët, dhe se në mënyra të ndryshme do të tentoj që të minoj anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
“Rusia nën Putin’in nuk do të heq dorë lehtë nga vendet e rajonit për shkak se Putin dëshiron Rusinë e Madhe dhe Perëndimin e vogël”, ka thënë Bugajski.
Çfarë do të përfitoj Mali i Zi nga anëtarësimi në NATO, mbetet të shihet. Tani për tani është e qartë se NATO e ka arritur qëllimin e vet. Edhe pse për Aleancën nuk do të thotë diçka e madhe ushtria e vogël e Malit të Zi, për të ka domethënie pozita e tij.
Deri tani anijet e NATO’s kanë lundruar gjithkah në mes të Gjibraltarit dhe Turqisë Lindore, por një pjesë e Adriatikut ishte jashtë rrezes së tij.
Tani NATO e kontrollon gjithë bregun mesdhetar evropian, gjë që Rusisë kurrqysh nuk po i pëlqen e sidomos jo në kuptimin e planeve të sajë në Siri. Pasi që tani edhe Mali i Zi është në kuadër të NATO’s, nuk ekziston asnjë shans që Rusia mund t’i stacionoj anijet e veta në këtë vend, por duhet të shkoj nëpër rrugë tjera.