Para një viti Abazi i kishte ofenduar të gjithë kosovarët, të njëjtën gjë e ka përseritur edhe dje
Në muajin tetor të vitit 2016, Boiken Abazi, zyrtar i lartë i LVV, i kishte ofenduar të gjithë shqiptarët e Kosovës që në atë kohë po e mbështetnin ekipin e Kosovës në futboll me poezinë e Ali Podrimjes “Unë biri yt Kosovë”.
Abazi, i njohur për pikëpamjet e tij anarkiste, kishte deklaruar se “Zëvendësimi i idesë së “Nënës Shqipëri” me idenë e “Nënës Kosovë” nënkupton automatikisht edhe pranimi i “babes” së dhunshëm Serbi, që e ka realizuar këtë ndarje. Shprehja “Unë biri yt Kosovë”, që e zëvendëson “Nënën Shqipëri” në vetëdijen e popullit të Kosovës me “Nënën Kosovë”, është në thelb mazokizëm i pastër!”.
Një qasje e tillë kishte shkaktuar një stuhi reagimesh në Kosovë.
I njëjti, Abazi, i cili është deportuar nga Kosovë, në një intervistë që ka dhënë për TV ABC në Shqipëri i është turrur pavarësisë së Kosovës, me të njëjtën logjikë.
Ai ka thënë se Kosova nuk është shtet i pavarur, sipas tij, për të arritur në atë pikë duhet punë.
“Ne jemi lëvizje shoqërore. Nuk jemi thjeshtë subjekt politik. Pse ne jemi lëvizje, sepse Kosova nuk është shtet i sovran dhe i pavarur. Që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran ka nevojë që në këtë lëvizje shoqërore të ketë ku përfshihen njerëz nga të gjitha shtresat”, ka thënë Abazi që mban edhe pozitën edhe te sekretarit për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjes Vetëvendosja.
Deri tash Lëvizja VV, ka kontestuar simbolet shtetërore të Kosovës por nuk e ka mohuar pavarësinë e saj. Kjo është hera e parë që dikush nga ky subjekt shprehet haptas kundër shtetit të Kosovës.
Abazi, në debatin e fundit në të cilin është përfshirë Lëvizja Vetëvëndosje është rreshtuar fuqishëm në krahun e Albin Kurtit. Ai që njihet si grupi i Tiranës, ku është edhe Abazi, kishin reaguar të parët dhe në mënyrën më të ashpër kundër krahut që po e kritikonte Kurtin. Abazi dhe të tjerët kishin kërkuar me ngulm që të bijnin kokat e kundërshtarëve të liderit Kurti.
Për më shumë shikojeni videon tek minuta e 15:30.