Futbolli anglez është tronditur nga lajmi për sëmundjen e portierit të Wolwerhampton Wolves.
Carl Ikeme është diagnostikuar me leukemi akute. Gjatë testeve mjekësore që i janë nënshtruar të gjithë futbollistët, në gjakun e nigerianit janë vërejtur disa parregullsi. Pas testeve më të detajuara është vërtetuar se ai vuan nga leukemia.
31-vjeçari që ka luajtur për gjatë tërë karrierës së tij me Wolves deri më tani ka regjistruar përmbi 200 paraqitje me këtë klub.
Të tronditur nga ky lajm, zyrtarët e klubit kanë njoftuar për gjendjen e lojtarit.
“Është e kuptueshme se të gjithë në klub jemi të shokuar dhe të mërzitur pasi kemi marrë lajmin për diagnozën e Carl”, ka deklaruar drejtori menaxhues i Wolves, Laurie Darlymple.
“Ne do t’i qëndrojmë pranë atij dhe familjes përgjatë kësaj periudhe dhe do ta ndihmojmë në çdo hap, deri në shërim të plotë”, ka thënë ai.
Edhe bashkëlojtarët e Ikemes, kanë reaguar në rrjetet sociale, ku i kanë shprehur mbështetje atij në këto momente të vështira.