Aktuale

Policia e Kosovës konfiskon 36 vetura të pa-doganuara në Prishtinë

Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka vazhduar me implementimin e Planit Operativ “Veturat e pa-doganuara”. Plani i filluar së zbatuari më herët nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës është duke vazhduar.

Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të pa-doganuara. Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor, me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik.

Gjatë realizimit të planit, në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 36 vetura të pa-doganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të pa-doganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen.

the authorE B