Aktuale

Polici dëshmon në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit

Në gjykimin e Gëzim Retkocerit e Osman Spahiut për vrasjen e Naim Hajrizit, ka dëshmuar polici Emin Beqiri.

Emin Beqiri kishte dhënë deklaratë në gjykatë për këtë çështje gjyqësore edhe në vitin 2015, e po ashtu edhe në seancën e kaluar ku edhe kishte mbetur në gjysmë dëshmia e tij.

Para se të fillohej të merrej në pyetje polici Beqiri, prokurorja e çështjes, Fikrije Fejzullahu kërkoi nga trupi gjykues që mbrojtja gjatë parashtrimit të pyetjeve të mos i referohej procesverbalit të vitit 2015 kur kishte dëshmuar Emin Beqiri, meqenëse ai procesverbal ishte i panënshkruar nga të gjitha palët në procedurë, madje as nga vetë dëshmitari Beqiri.

Por ky propozim u refuzua nga trupi gjykues, ashtu qe avokatja e Gëzim Retkocerit, Kosovare Kelmendi, filloi ta merrte në pyetje dëshmitarin lidhur me atë se çfarë kishte deklaruar në 2015- ën.

Emin Beqiri kishte qenë prezent në vendshikimin ku është gjetur i vdekur Nauim Hajrizi. Ai madje deklaroi se në kohën kur ka arritur “më duket se ende qitke tym kufoma”.

“Atje ku ishte kufoma nëpërmes radiolidhjes kam kuptuar se policët janë duke i shiquar disa autoservise në Magjistralen Prishtinë- Ferizaj dhe kam kuptuar që për momentin janë edhe tek autorservisi ‘Cali’, unë isha rrugës kur kam dalë nga vendi ku është gjetur kufoma në drejtim të magjistrales Ferizaj- Prishtinë”, shtoi Beqiri.

Por kundërthëniet filluan atëherë kur avokatja Kelmendi e pyeti se kur është takuar me të mbrojturin e saj, Gëzim Retkocerin, e Beqiri u përgjigj “kurrë nuk e kam takuar Gëzimin”.

“Edhe në dëshmitë tjera që i kam dhënë kam deklaruar se avokatja më ka parashtruar pyetjen ‘çka ke dëgjuar, si mu ka raportuar rasti’. Edhe atëherë i kam thënë se këto kanë qenë raportime që më janë raportuar si epror- drejtor rajonal i Prishtinës, por kurrë nuk e kam takuar Gëzimin”, tha Beqiri.

Duke e ballafaquar me procesverbalin e vitit 2015, avokatja Kelmendi i citoi një pjesë të deklaratës së tij.

“A është i vërtetë deklarimi juaj që qëndron në këtë procesverbal ‘më kujtohet kemi shkuar deri te dyert, te pjesa ku ka qenë rrethoja. Mua nuk më kujtohet se cili nga familjarët na i ka dhënë çelësat dhe nuk e di nga i nxorën çelësat që të na i japin neve. Me Gëzimin kemi ndejtë në një periudhë shumë të shkurtë’”, e pyeti avokatja Kelmendi.

“Nuk është e vërtetë që Gëzimin e kam takuar atë ditë, është e vërtetë se kam qenë në vendngjarje ku është gjetur kufoma, jam kthyer nga atje, e kam takuar rreshterin Zymer (policin hetues) tek pompa e benzinës Standard, kam biseduar me të 3-4 minuta, kam vërejtur se aty ka policë shumë, andaj kam vazhduar në zyren time në Prishtinë dhe nuk jam kthyer më në autorsevisin ‘Cali’”, u përgjigj Beqiri.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe i akuzuari Gëzim Retkoceri.

“A të kujtohet kur jemi takuar për herë të parë me mua?”, e pyeti Retkoceri, derisa Beqiri u përgjigj “më 2015 në sallën e gjykimit”.

Por, sipas Beqirit, ai ka mundur ta takojë rastësisht në fshatin Llugaxhi.

“Unë kam jetuar në Babush, komuna e Lipjanit dhe në fshatin Llugaxhi unë kam shumë shokë, bile janë edhe këtu në sallë të gjykimit, a kam mundur ta takoj rastësisht edhe Gëzimin se unë jam rritur në atë rreth, mirëpo në kontekstin që po e bën pyetjen unë nuk jam takuar asnjëherë”, shtoi Beqiri.

“A të kujtohet më datën 30.04.2009 a me ke parë te servisi Cali?”, e pyeti përsëri Retkoceri, por përsëri mori përgjigje negative, pasi që Beqiri i tha se nuk i kujtohet një gjë e tillë.

I akuzuari Retkoceri përsëri reagoi ndaj fjalëve të Beqirit, duke pyetur me ironi “A është Emin Beqiri”.

“Njëherë e kom parë, nëpërmjet mediave e kom pa, a po të kujtona naj sekond kur kena ndejt më 30 prill 2009, qoftë në stacion policor në Lipjan, apo te servisi ‘Cali’, se tre orë kemi ndejt aty, jo tre minuta, u kon me kolegët e tij Lulzim Rrustemin dhe Zymer Gashin”, e pyeti Retkoceri, duke marrë përgjigje negative përsëri.

Për shkak se dëshmitari Emin Beqiri theksonte vazhdimisht se nuk është takuar në ditën kritike me Gëzim Retkocerin, Retkoceri e quajti gënjeshtar dëshmitarin, duke i thënë “po rren”.

“Pse nuk tha në 2015-ën nuk e di në deklaratë?”, pyeste në sallë të gjykatës Retkoceri.

Dëshmitari Beqiri tha se e tërë dëshmia e tij ka qenë se si i është raportuar atij rasti.

“Pyetjet që më janë parashtruar nga avokatja e kaluar e Gëzim Retkocerit, Fehmije Gashi- Bytyqi kanë qenë kryesisht çka kam dëgjuar dhe çka më është raportuar nga hetuesit dhe si është shënuar në atë procesverbal se unë jam takuar me Gëzim Retkocerin, kam qenë në autoservisin ‘Cali’, nuk e di, ndoshta mos kanë qenë deklarata te Lulzim Rrustemit e Zymer Gashit”, sqaroi Beqiri.

Polici – dëshmitar mohoi se janë të tijat fjalët në procesverbal.

“Pjesët që i dëgjova nga procesverbali nuk janë fjalët e mia. Avokatja (Fehmije Gashi- Bytyqi) tërë kohën për rreth 2 orë më ka pyetur vetëm se çka kam dëgjuar dhe çka më është raportuar”, shtoi ai.

Pas përfundimit në marrje në pyetje të tij, avokatja e Gëzim Retkocerit, Kosovare Kelmendi vëri vërejtje konkrete ndaj dëshmitarit Beqiri.

“Mbrojtja bën vërejtje në dëshminë e dëshmitarit lidhur me deklarimin e tij sot, i njëjti nuk ishte i sinqertë dhe nuk e foli të vërtetën edhe pse është i obliguar me ligj,. Sido që të jetë, vlerësimi i kredibilitetit të këtij dëshmitari dhe validiteti i kësaj dëshmie sot, marrë parasysh faktin se ishte nën betim i mbetet në gjykim trupit gjykues sot”, tha Kelmendi.

Pas dëshmisë së tij, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Valon Krasniqi.

Seanca e radhës u caktua për në fund të muajit maj.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Në korrik të vitit 2015 të akuzuarit ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

the authorE B