Aktuale

Policët shpëtimtarë të Pejës

Ishte një orë e gjysmë para mesnate e 8 janarit të vitit 2017. Një ndër netët më të ftohta të dimrit. Temperatura ishte minus 20 gradë. Në acar po mërdhinin fytyrat e rreshterit Zeqir Aliu dhe e policit të ri Arian Bacaj.

Ata patrullonin këmbë në afërsi të rrethrrotullimit rrugor, poshtë Stacionit të Autobusëve, shkruan “Koha Ditore”. Ndërkohë derisa kishin të ftohtë, nuk e dinin se pas disa minutash do t’u bëhej nxehtë në ndërtesën e banimit kolektiv, prapa Stacionit të Autobusëve në Pejë, e përfshirë nga flakët.

Zjarri i shfaqur në njërën banesë të katit të parë veç kishte filluar bashkë me tymin të shpërhapej shpejt edhe në banesat e tjera, kur Aliu e Bacaj informohen nga baza e Stacionit policor për zjarrin.

“Jemi përgjigjur shpejt. Aty kemi takuar Njësitin e zjarrfikësve dhe ndërkohë kanë arritur edhe njësitet e tjera policore. Kur kemi shkuar aty kemi parë se vatra e zjarrit ishte në banesën në katin e parë, në të cilën zjarri kishte nisur të shfaqej gjysmë ore me parë”, nis rrëfimin rreshteri Aliu për atë natë që nuk do ta harrojë kurrë. Në këso rastesh janë zjarrfikësit ata që intervenojnë të parët. Por atë natë ata po luftonin me pompat e ngrira të dy automjeteve, me të cilat kishin ardhur të shuanin zjarrin, e që nuk nxirrnin as edhe një kokërr akulli. E derisa ata po mundoheshin t’i shkrinin kamionët, tymi i dendur që dilte nga dritaret dhe nga dera e banesës shkaktonte panik te banorët e ndërtesës.

“Gjendja ishte kaotike. Banorët e kapur nga paniku kishin dalë në dritare e ballkone duke kërkuar ndihmë. Nga brenda dëgjoheshin britma të fëmijëve e të rriturve. Në njërën dritare një banor kishte nxjerrë foshnjën dhe kërkonte ndihmë…”, kujton Aliu dramën që zhvillohej në ato çaste brenda ndërtesës, para syve të policëve, zjarrfikësve dhe dhjetëra qytetarëve të tjerë, që ishin mbledhur aty, disa nga kureshtja e disa për të ndihmuar. Frika ishte aq e madhe, saqë njëri prej banorëve, siç tregon Aliu, kishte hipur në dritaren e banesës së vet, në katin e tretë, dhe donte të hidhej, ndonëse brenda i kishte gruan dhe 3 fëmijët.
“E kemi bindur që të mos hidhej, duke i siguruar se do t’i shpëtonim të gjithë”, tregon ai çastin kur policët vendosin të mos presin më intervenimin e zjarrfikësve dhe futen brenda në ndërtesë ashtu në uniforma e pa pajisje kundër zjarrit

the authorE B