Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit, Lista SRPSKA është më e dobët sesa herën e kaluar (2014), kur nga 10 vendet e rezervuara për serbët i kishte fituar 9 prej tyre.
Kësaj radhe, sipas të dhënave që vijnë nga emra të njohur për Indeksonline, por që kanë kërkuar të mbeten anonimë, e të cilët janë pjesë e Listës SRPSKA, llogaritë janë ndryshe. Në radhë të parë, ajo nuk ka më në përbërjen e vet SLS-në e Sllobodan Petroviqit, e cila ka përkrahje të madhe tek serbët lokalë jashtë komunave veriore. Hendikep i madh është edhe ndarja e Aleksandar Jabllanoviqit, i cili llogaritet që do t’i fitojë shumicën absolute të votave në Leposaviq. Edhe krahu i Shterpcës nuk llogaritet shumë pjesë indentitare e tyre, ka thënë një kandidat për deputet në kuadër të kësaj Liste. Krahun e SHterpcës e përbëjnë struktura të dikurshme të SLS-së, përkatësisht kryetari i kësaj komune Bratisllav Nikoliq.
“Në Anamoravë, përkatësisht rajonin e Gjilanit, SRPSKA është e ndarë në tri fraksione, të cilët kanë rivalitet të madh në mes vete”, – ka thënë burimi. Aty janë struktura të ndryshme politike, të cilat nuk e kanë “komandën” e njëjtë. Një pjesë e madhe janë struktura të dikurshme të SPS-së (socialistëve të Daçiqit), kurse pjesa tjetër është një përzierje e partisë së Vuçiqit me ata të DS-së së Tadiqit.
“E gjithë esenca është se SRPSKA do ta ketë përkrahjen e Beogradit vetëm këto ditë, deri më 11 qershor. Pastaj, me urdhër të Vuçiqit, pas një dëshpërimi nga rezultatet, vet Vuçiqi do t’i thërrasë në Beograd dhe do t’ju thotë se ata nuk do ta kenë më përkrahjen e tij!”, thotë ky zyrtar, i cili ka marrë pjesë edhe në takimin e fundit në mes të Vuçiqit dhe përfaqësuesve të SRPSKA-s në Beograd. Në anën tjetër, sa u përket komunave veriore, konflikti është shumë i madh në mes tyre dhe Aleksandar Jabllanoviqit. Pardje, Jabllanoviqi qe arrestuar për shkak të një konflikti, ku iu gjet një armë pa leje.
“Jeta e Aleksandar Jabllanoviqit është në rrezik nga strukturat kriminale të veriut, siç është Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq”, ka thënë për Indeksonline një burim brenda institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës.
Në këtë konflikt janë të përziera edhe strukturat policore serbe nga veriu, të cilat ia kanë hequr mbrojtjen e afërt Jabllanoviqit, ka mësuar Indeksonline. “Veprimet e këtyre strukturave kriminale në veri përveç që e cenojnë integritetit territorial të Republikës së Kosovës, ato tashmë po e cenojnë edhe votën e lirë të qytetarëve serbë atje!”, ka thënë zyrtari i lartë i strukturave të sigurisë në Prishtinë. Indeksonline ka mësuar se për të gjitha këto janë të njoftuara të gjitha institucionet vbendore e ndërkombëtare në Kosovë. Esenca duket të jetë se Aleksandar Vuçiqi tashmë i ka lëshuar nga dora strukturat politike të SRPSKA-s, por kriminelët në veri po udhëheqin tashmë vet, duke provuar kështu që ta ruajnë monopolin ekonomik që e kanë në dorë.
Aktiviteti i këtyre ditëve në mesin e SRPSKA-s është për “jetë a vdekje”. Populli serb në komunat jugore, por edhe ai në veri ëshët lodhur nga keqpërdoruesit. Disa drejtorë të komunës së Graçanicës janë nën hetime për keqpërdorime të pozitës zyrtare. Në mesin e tyre shquhet Novak Zhiviqi, i cili përveç fondeve të komunës ka keqpërdorur edhe dhjetëramijëra euro nga disa aktivitete me OJQ që i ka nën kontroll.
Nëse SRPSKA ia del që t’i marrë 5 nga 10 deputetët në mandatin e ardhshëm të Parlamentit5 të Kosovës, atëherë fuqia politike e tyre ende do të mbetet e fortë. Kurse që të bëhet kjo është e angazhuar një varg i tërë i veprimtarëve të tyre që bëjnë pjesë nëpër Këshillat Komunalë Zgjedhorë. Përfaqësuesi i SRPSKA-s në KQZ Nenad Rikallo ka dyshime serioze që është agjent i shërbimeve sekrete të Serbisë. Ai dhe kryetari i KKZ-së në Graçanicë Igor Cirkoviq janë njerëzit kryesorë të angazhuar për manipulimin e rezultatit zgjedhor brenda komunitetit serb. Për të gjitha këto, organet e drejtësisë në Kosovë si dhe ato të sigurisë janë të njoftuara.
“Është e çuditshme se pse po heshtin këto organe, kur të gjitha rastet e kërcënimeve ndaj kandidatëve tanë i kemi paraqitur më Polici dhe Prokurori”, ka thënë kryetar i SLS-së Sllobodan Petroviqi. Lidhur me këto kërcënime Indeksonline mëson se ka dëshmi të mjaftueshme. Janë siguruar audio dhe video të cilat e dëshmojnë një gjë të tillë. Institucionet ndërkombëtare në Kosovë po e vështrojnë me kujdes situatën.
“Edhe ata janë të njofuar për të gjitha kërcënimet që po bëhen ndaj nesh, Jabllanoviqit dhe Rashiqit”, – ka thënë Petroviqi.
“Shprehja e vullnetit politik në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë është vënë në sprovë nga elementë kriminalë të lidhur me Beogradin”, ka thënë zyrtar i sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Edhe Prokuroria, edhe Policia e edhe AKI-ja janë në dijeni për të gjitha shantazhet dhe kërcënimet që po ushtrohen ndaj kandidatëve dhe qytetarëve serbë në Kosovë. Disa nga kandidatët tashmë janë larguar nga vendet.