Sa më shumë që pini (alkool), aq më shumë qelizat tuaja plaken, duke e rritur rrezikun nga problemet shëndetësore që lidhen me moshën, si sëmundjet e zemrës, diabeti, kanceri dhe dementia, sugjeron një studim i ri.
Hulumtuesit i kanë studiuar 134 alkoolikë në mesin e moshave 41 dhe 85 vjeç dhe një grup kontrolli njerëzish në të njëjtën grupmoshë që nuk ishin alkoolikë.
Mostrat e ADN-së zbuluan se alkoolikët kishin telomere të shkurtuara.
“Telomeret, kapakët e proteinave në skajet e kromozomeve njerëzore, janë markerë të plakjes dhe shëndetit të përgjithshëm”, tha udhëheqësi i studimit dr. Naruhisa Yamaki, staf klinik në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Kobe në Japoni.
Sa herë që një qelizë shumohet, një telomer i vogël humbet, kështu që ato bëhen më të shkurtra me kalimin e moshës, transmeton Koha.net. Me kalimin e kohës, kjo i lë kromozomet më pak të mbrojtura, kështu që qelizat mund të mos jenë në gjendje të funksionojnë siç duhet. Por disa njerëz kanë telomere më të shkurtra për arsye që dallojnë nga plakja.
“Studimi ynë tregoi se pacientët alkoolikë e kanë një gjatësi të shkurtuar telomeresh, që do të thotë se pirja e rëndë e shkakton plakjen biologjike në nivel qelizor”, tha Yamaki.
Ai shtoi se është e rëndësishme për njerëzit që të kuptojnë se pirja e alkoolit e shkakton shkurtimin e telomereve, sepse “njohja e këtij fakti siguron informacione të rëndësishme që njerëzit të jetojnë më të shëndetshëm”.
Yamaki e prezantoi studimin të dielën e kaluar në një takim të Research Society on Alcoholism në Denver. Hulumtimet e prezantuara në takimet mjekësore zakonisht konsiderohen preliminare deri sa të publikohen në ndonjë revistë shkencore.