Sport

Peticion për përsëritjen e ndeshjes Barcelona-PSG

Në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarit Deniz Aytekin, një tifoz ka nisur peticion për përsëritjen ndeshjes mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germain.
Barcelona ka bërë rikthimin më të madh në histori të Ligës së Kampionëve, ku pas disfatës së parë nga PSG 0:4, ka arritur të triumfonte 6:1 në Camp Nou, për t’u kualifikuar në çerekfinale.
Përkundër kësaj mrekullie ka pasur shumë diskutime në lidhje me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Deniz Aytekin, i cili është kritikuar ashpër për vendimet e tij.
Madje një tifoz ka shkuar aq larg sa që ka nisur një peticion në faqen ‘changes.org’, për përsëritjen e kësaj ndeshjeje me arsyetimin se Barcelona është ndihmuar nga gjyqtari gjerman, derisa PSG është dëmtuar rëndë.
Siç shkruan portali Goal, ai deri më tani ka mbledhur plot 200 mijë nënshkrime në nismën për përsëritjen e këtij takimi.