Aktuale

Përplasja Lladrovci-Drenori: Idiot, rrenc dhe veprime me gisht të mesëm

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e ka akuzuar bashkëvendasin e tij, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenorin se ka vjedhur vota në zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas Drenorit, në mbledhjen e fundit komunale ka pasur një përplasje mes tij dhe Lladrovcit, meqë ky i fundit ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet që Drenori ia kishte drejtuar atij.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Drenori ka sqaruar përplasjen me Lladrovcin, duke thënë se ai ka përdorur fjalë dhe ka bërë gjeste që nuk i kanë hije një udhëheqësi komunal. Sipas Drenorit, Lladrovci e ka fyer duke ia treguar gishtin e mesëm.

Ndërkohë, ai ka sqaruar se “nervozizmi” i Lladrovci ka ardhur kur Drenori i ka kërkuar përgjigje për përfshirjen e bashkëshortes së tij në çështje politike, e cila kishte shtruar iftarë dhe kishte paraqitur kandidatët e PDK-së nëpër banorët e fshatrave të Drenasit.

“Në mbledhjen e fundit unë i preka vetëm tri çështje dhe i kërkova përgjigje. Ai filloi të përdorë fjalë që një kryetar komune nuk do të duhej t`i përdorte, si fjalën rrenc, fjalën idiot, pastaj veprime me gisht të mesëm që nuk i ka hije as një njeri normal. Unë iu kundërpërgjigja dhe i kërkova përgjigje se ku merr të holla bashkëshortja e tij që të gjitha gratë e fshatit tim të lindjes t`i thërrasë për iftar, ajo është e pa punë dhe po përzihet në çështje politike. Ku pastaj në cilën bazë, bashkëshortja e tij vjen prezanton persona nga PDK-ja. Ajo vjen në fshatin tim dhe flet keq për mua, duke u përzier në politikë, totalisht e papranueshme.Të gjitha këto ia përplasa zotit Lladrovci”, ka deklaruar Drenori.

Lidhur me akuzat e Lladrovcit, Drenori ka thënë se ato nuk qëndrojnë dhe se është pikërisht Lladrovci ai që është përfolur për vjedhje të votave nëpër oda në kohën e zgjedhjeve për Drenasin.

Ndryshe, Drenori ka treguar se pret që PDK-ja ta rikandidojë Lladrovcin për kryetar të Drenasit në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen në tetor, meqë ai vet do të jetë kundërkandidat i tij. Drenori ka sqaruar se e ka përgatitur strukturën e tij për këto zgjedhje.

“Do të kisha pasur dëshirë që PDK-ja ta lejonte Ramiz Lladrovcin si kandidat. Unë do të jem kundërkandidat i tij, nga cili format ende nuk e di. Kemi mbet me u ulë me Albinin dhe me diskutu formën e bashkëpunimit në të ardhmen. Jo,jo .. ne e kemi një subjekt tonin, Vizioni për Drenasin dhe unë strukturën time e kam përgatitë. Jemi duke i bë hapat përpara, por do të jem i lumtur nëse Lladrovci kandidon sërish për Drenas sepse kam goxha shumë për t`i thënë”, është shprehur ai për “Indeksonline”.

Sipas Drenorit, Lladrovci e ka dëmtuar jo vetëm degën e PDK-së në Drenas, por PDK-në në të gjithë vendin./Indeksonline/

the authorE B