Fluturimi i avionëve amerikane mbi Korenë e Veriut duket se ka alarmuar shtetin komunist. Sipas agjencive koreano-jugore të lajmeve, gjeneralët e Kim Jong Un kanë urdhëruar ushtarët të përgatiten për luftë.
Sipas një agjencie lajmesh të quajtur “Daily North Korea”, ushtarëve koreano-veriorë u është thënë që të bëhen gati dhe të marrin ushqime.
“Gjeneralët po udhëzojnë ushtarët për të ngrënë misër në ara sepse lufta po afron”, shkruan agjencia
Ata u kanë kërkuar ushtarëve të tyre që të mirë ushqehen, sepse në të kundërt nuk do të kenë rezistencë. Ndërsa shefave të ushtrisë u është thënë që të bëjnë një sy qorr teksa ushtarët po vjedhin misër nga arat.
Megjithatë, mediat ndërkombëtare shkruajnë se nuk dihet se sa i vërtetë është ky informacion. Ushtria e Koresë së Veriut ka rreth 6.5 milionë personel të disponueshëm, por me ushtarë të kequshqyer dhe armë e automjete të vjetruara
Më herët gjatë ditës së sotme, avionë bombardues dhe luftarakë të armatosur amerikanë fluturuan mbi Korenë e Veriut gjatë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut, duke dhënë një mesazh të qartë ndaj shtetit komunist.
Situata në gadishullin korean u tensionua gjatë kësaj jave, ppasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike që kaloi mbi Japoni. Presidenti amerikan Donald Trump tha se zgjidhja me diplomaci nuk është më një opsion.
Koreja e Jugut, e cila ndjehet më shumë se çdokush tjetër e rrezikuar prej regjimit të Kim Jong Un, ka dërguar avionët në kufi.
Ata kanë hedhur 8 bomba të mëdha Mark 48 të një peshe prej 1 ton në kufi duke paralajmëruar qartë Korenë e Veriut. Presidenti Moon Jae-in urdhëroi veprimin ushtarak dhe bombat u hodhën nga katër avionë luftëtarë “F-15K”.
Mendohet se ky bombardim në lindje të vendit erdhi për të “shfaqur aftësinë për të ndëshkuar” Korenë e Veriut nëse Kim Jong-un vendos të sulmojë.