Australia i ka suspenduar misionet e sulmeve ajrore mbi Sirinë pasi Rusia dje kërcënoi se do ta trajtojë si cak të mundshëm çdo aeroplan të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që fluturon në perëndim të Lumit e Eufratit.
Rusia tha se këtë po e bënte si kundërpërgjigje ndaj SHBA-së aeroplani ushtarak i të cilit e rrëzoi një aeroplan të forcave ajrore të Sirisë të dielën. Ndërkohë, SHBA-ja ka thënë se aeroplanët e saj vepruan në mbrojtje të forcave të mbështetura nga SHBA-ja që janë në kërkim të kapjes së Raqqas, bastionit të Shtetit Islamik në verilindje të Sirisë, transmeton Express.
“Si masë parandaluese, operacionet ajrore të Forcës së Mbrojtjes të Australisë janë suspenduar përkohësisht,” ka thënë Departamenti i Mbrojtjes i Australisë në një komunikatë të publikuar sot.
Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes ka thënë për ABC se situata do të monitorohet dhe se sulmet e RAAF mbi Irak do të vazhdojnë./Express/