Christian Panucci kërkon rezultate pozitive kundër Italisë e Spanjës për imazhin e Shqipërisë.
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci, në konferencë për shtyp përpara ndeshjeve ndaj Spanjës dhe Italisë, deklaroi se një rezultat pozitiv në këto ndeshje do i bënte mirë imazhit të vendit tonë.
“Nëse marrim rezultat, do të ishte shumë mirë për imazhin e Shqipërisë dhe do u jepte kënaqësi njerëzve”, tha Panucci.
Tekniku italian theksoi se për ndeshjen ndaj Spanjës ende nuk e ka vendosur formacionin, “por do të luajë ai që ka më shumë dëshirë”.
“Mund të marr edhe vendime të mëdha. Ne duhet të dimë se kush jemi dhe të respektojmë Spanjën e Italinë. Kur të mundemi, duhet t’i lëndojmë”, shtoi Panucci.
“Kundër Spanjës është e vështirë që të luash mirë. Topin e kanë gjithmonë ata. Duhet vëmendje e madhe sepse shfrytëzojnë çdo detaj. Duhet të luajmë me kurajo”.
“Spanjë do na vendosë me shpatulla pas muri. Duhet të jemi realistë: Spanja është e fortë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Luksemburgu barazoi me Francën”, theksoi mes tjerash Panucci. /Gazeta Express/