Sport

Panucci: Bëra atë që nuk e bëri De Biasi

Panucci vazhdon të krenohet me paraqitjen kundër Spanjës, që ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që bëri skuadra Gianni de Biasit në Shqipëri.

Kombëtarja shqiptare humbi 3:0 kundër Spanjës në udhëtim, por paraqitja ishte krejtësisht e ndryshme me skuadrën e Gianni de Biasit, që humbi 2:0 në Shqipëri.

Për këtë, vazhdon të mburret edhe më tej Panucci, që thotë se “kjo Kombëtare mund të japë më shumë”.

“Kur Kombëtarja luajti kundër Spanjës në Shqipëri, sa goditje kanë pasur në portë? Sa godtje në portë kishte Shqipëria në Spanjë?”, u përgjigj Panucci.

“Ju e patë që ne u mbrojtëm dhe kundërsulmuam, por ekipin që kishte më shumë goditje drejt portës ishte Shqipëria. Goditëm 14 herë në drejtim të portës, 4 herë kuadratin dhe dy herë shtyllën. Vetëm sepse vumë tre lojtarë në mbrojtje ju thoni se ishim defensivë. Sa ekipe kanë luajtur mirë në Spanjë? Asnjë”, shtoi i irrituar Panucci në konferencën për media.

“Mendoj se ekipi im mund të bëjë edhe më mirë – shumë më mirë. Jam i lumtur me atë që bënë djelmoshat në pjesën e dytë kundër Spanjës dhe duhet të vazhdojmë kështu. Sepse po e them sërish, ky ekip mund të bëjë shumë më tepër”, përfundoi Panucci. /Gazeta Express/