Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Gjakovës, kanë organizuar sot ‘Panairin e Sportit’. Me këtë rast, në shenjë të masivizimit të sportit në përgjithësi, janë demonstruar sportet e ndryshme të të gjitha klubeve në komunën e Gjakovës.
Në platonë e pazarit të vjetër të Gjakovës u organizua Panairi i Sportit, ku ishin prezent të gjitha klubet ekzistuese të komunës si dhe të rinj të cilët u njoftuan me disiplinat sportive dhe aktivizimin e tyre në sport, për mendje dhe trup të shëndoshë.
Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, me rastin e hapjes së këtij panairi tha se sportistët janë ambasadorët më të mirë të një shteti.
“Kosova këtë vit për herë të parë merr pjesë në lojërat ndërkombëtare olimpike, dhe e dini që kemi edhe favorit për medalje, prandaj shpresojmë që kësaj radhe për herë ta parë të debutojmë dhe të arrijmë të marrim medalje, por gjithashtu të ketë edhe kampion tjerë të rinj përveç xhudistëve që kryesisht janë femra,që presim medalje p rej tyre, ne urojmë të kemi edhe klube sportive dhe talent të rinj që vijnë nga Gjakova dhe kjo mund të arrihet vetëm prej moshës së juaj filloni me përkushtim të merreni me sport. Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, mbajeni sportin si pjesë të jetës së juaj e jo vetëm si aktivitet,” tha Kusari-Lila
Nga ana tjetër, në emër të Komitetit Olimpik, foli nënkryetari Fatmir Makolli, i cili përgëzoj komunën e Gjakovës dhe të gjitha klubet për organizmin e Panairit të parë të Sportit.
“Dua të ju falënderoj përzemërsisht për angazhimin, përkushtimin dhe punën tuaj të shkëlqyer për organizimin e panairit të parë të sportit në komunën tuaj, panair ky i cili besoj fuqishëm se do të jetë i për-vjetshëm dhe në funksion të masivizimit të sportit në komunën tuja. Jemi në vitin e Olimpiadës, madje na ndajnë edhe 43 ditë nga hapja solemne e lojërave olimpike 2016, Kosova e barabartë me shtetet tjera, me simbolin kombëtarë, me së paku 7 sportistë do të defiloj dhe flamuri ynë do të valoj në praninë e 3 miliardë njerëzve të planetit tonë. Të bëhemi model për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Makolli .
Në këtë panair të gjitha klubet pjesëmarrëse të komunës demonstruan sportet e tyre. Kryetarja Kusari Lila së bashku me anëtarët e Komitetit Olimpik dhe me drejtorin për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Gjakovës, Meriton Ferizi, panë nga afër pothuajse të gjitha demonstrimet e klubeve të sportit gjakovar.
Ndryshe, panaire të tilla janë mbajtur edhe në 12 komuna të tjera të Kosovës me qëllim të nxitjes së të rinjve që të merren me sport. /KosovaPress/