Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli nga mesi i kësaj jave do të nis një turne diplomatik në Azi ,në përpjekje për të bindur shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por, agjenda e tij kësaj here nuk do të publikohet për shkak se Serbia po përpiqet të minojë secilën përpjekje diplomatike të Kosovës, thonë zyrtarët me të cilat ka biseduar Gazeta Express.
Merret vesh se udhëtimi i Zëvendëskryeministrit të parë fillon nga vizita e tij në Romë. Ai, aty udhëton me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano, ku do të bisedojnë kryesisht për integrimet Euro- Atlantike të Kosoves dhe liberalizimin e vizave
Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë konfirmuar vizitën e Ministrit të Jashtëm Pacolli në kontinentin e Azisë.
Ende nuk dihet cilat shtete do t’i vizitojë, Pacolli, por burime të besueshme të gazetës thonë se agjenda dhe takimet e nivelit të tij mbahen në konfidencë të plotë, “pasi që nuk është vizita e parë e tij, që mbahet sekrete. Ai, kishte vizituar dy herë Afrikën, kishte takime në Londër, Stamboll, dhe Paris pa i publikuar fare”.
Merret vesh se kjo ndodhë për shkak se vizitat dhe takimet e tij në vazhdimësi ndiqen nga Serbia, e cila pastaj nuk zgjedh mjet për të minuar çdo përpjekje të re diplomatike të Kosovës, që synon të sjellë njohje të reja.
“Është e vërtetë, që Ministri Pacolli do të qëndrojë për një vizitë disa ditëshe në kontinentin aziatik dhe do të ketë dhjetëra takime me Ministriat e Jashtëm dhe nivel edhe më të lartë nga disa shtete njohëse dhe jo-njohëse të Kosovës, kryesisht në shtetet e anëtare të ASEAN dhe Arqipelagut. Tash për tash agjenda dhe takimet nuk mund të zbardhen dhe mbeteten në nivelin konfidencial”, ka thënë një zyrtar nga MPJ.