Aktuale

Osmani: Gjendja në KEK, alarmante

Kosova me potenciale të mëdha të thëngjillit, por vazhdon të ketë probleme me energji elektrike, sa që ekziston mundësia që vendi të mbetet në terr, të rritet çmimi i rrymës, ndërsa janë afër 5 mijë punëtorë që mund të mbesin pa vendet e tyre të punës.

Problemi i shpronësimit të tokave në zonën 52 hektarëshe , ka sjellë vendin në një situatë shumë të rëndë energjetike.

Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Rafet Osmani, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se më 2 gusht, do të organizojnë protestë për të parandaluar më të keqen.

“Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që të na bashkangjiten në protestë më 2 gusht, do të thotë të mërkurën, prej orës 12 deri në orën 13 sepse do të ballafaqohemi me reduktime të mëdha të rrymës dhe me rritje drastike të çmimeve të energjisë elektrike. Menaxhmenti duhet të mbajë përgjegjësi për punëtorët për shkak se momentalisht i kemi 4 mijë e 800 punëtorë dhe iu rrezikohen vendet e punës pa fajin e tyre. Pastaj dëm të madh do të ketë ekonomia e Kosovës, bizneset kosovare, investitorët që kanë menduar të investojnë në Kosovë do të tërhiqen”, ka thënë Osmani.

Ai ka paralajmëruar edhe grevë gjithëpërfshirëse në rast se organet kompetente nuk ndërmarrin masa të menjëhershme pas protestës së 2 gushtit.

“Nëse edhe pas kësaj proteste do të hasim në vesh të shurdhër tek Qeveria, Ministritë përkatëse, atëherë ne Sindikata e Re Energjetike do ta mbajmë një grevë gjithpërfshirëse nga të gjithë punëtorët e KEK-ut para Qeverisë dhe para Ministrive përkatëse”, tha ai.

Për situatën e krijuar, Osmani ka fajësuar menaxhmentin e KEK-ut që ka fshehur deri më tash gjendjen aktuale si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe atë të Planifikimit Hapësinor, ndërsa ka shtuar se edhe Kuvendi Komunal i Obiliqit nuk ka vepruar konform vendimit të Qeverisë, për zonën prej 52 ha që është shpallur njëherit edhe zonë me interes të veçantë.

Madje ai ka theksuar se nga 30 shtëpi sa ka pasur në atë pjesë, sot ndodhen afër 300 të tilla.

Më së shumti përgjegjës këtu janë Qeveria e Kosovës me Ministritë përkatëse, sic janë Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, bashkë me Kuvendin e Obiliqit që lëre se nuk e kanë zbatuar vendimin e Qeverisë, por njëherit ato edhe i kanë sabotuar, duke mos vepruar inspektoratet e tyre, sikur të nivelit qendror ashtu edhe të nivelit komunal. Meqenëse nuk i kanë kryer punët e veta Inspektorati Komunal i Komunës së Obiliqit dhe Inspektorati i kësaj ministrie, në këtë zonë nga viti 2004 sa kishte 30 shtëpi, sot janë të ndërtuara aty afër 300 shtëpi, më shumë se 250 shtëpi ku kanë ndërtuar njerëzit për interesa të tyre personale, ku identitetin e vet e mbështetin prapa fshatarëve të të cilëve figurojnë parcelat kadastrale në nivel të Kuvendit Komunal”, tha ai.

Kur këto kapacitete energjetike kanë mundur të punojnë dhe të ekzistojnë edhe gjatë luftës së fundit dhe bombardimeve, Osmani u shpreh se më e keqja është se tani rrezikohen edhe ato ekzistueset.

Ai theksoi se Kosova në këtë mënyrë do të detyrohet të blejë thëngjill shumë më shtrenjtë nga vendet e tjera, përderisa vendi ka sasi të mjaftueshme thëngjilli.

“Përkundër investimeve të mëdha që kanë qenë pas luftës në KEK, prej pas luftës, vetëm në minierën ekzistuese në Sibovcin jugperëndimor, janë investuar diku rreth 200 milionë euro, ndërsa në krejt KEK-un diku rreth 1 miliardë euro. Pas gjithë këtyre investimeve, pas gjithë këtyre rezervave të thëngjillit të kësaj pasurie kombëtare, na vendosin para aktit të kryer, që të blejnë thëngjill me çmime shumë të shtrenjta nga rajoni. Këtu dikush duhet të jap përgjegjësi dhe të përballët me drejtësinë”, tha Osmani.

Sipas tij, më e keqja është se menaxhmenti i KEK-ut nuk e ka përgatitur një plan ‘B’, në rast të dështimit të planit të parë, gjë që veç ka ndodhur.

“Menaxhmenti fajtor është sepse nuk e ka përgatitur planin ‘B’ për futjen e ekskavatorëve në drejtim të fshatit Lismir, do të thotë në pjesën jugore të sulmohet edhe për atë arsye nuk do të kishin ngecur dhe nuk do të kishin ardhur deri tek kjo situatë alarmante çfarë është krijuar sot në Korporatën Energjetike të Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, Zona prej 52 hektarësge shtë shpallur si zonë me interes të veçantë nga Qeveria e Republikës të Kosovës më 3 nëntor të vitit 2004, që mban numrin e vendimit 4/119 dhe të vendimit me numër 2/57, të datës 13 mars të vitit 2009, me ç’rast është obliguar Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor dhe Kuvendi Komunal i Obiliqit, që të reagojnë konform vendimeve të Qeverisë dhe të mos lejohet ndërtim në këto zona me interes të veçantë ekonomik.

the authorE B