Sport

I ofendoi shqiptarët gjatë ndeshjes Dinamo – Skënderbeu, reagon komentatori kroat (Foto)

Komentatori kroat kërkon falje për gabimin që ka bërë gjatë komentimit të ndeshjes Dinamo Zagreb – Skënderbeu, e cila përfundoi 1:1
Komentatori kroat i televizionit HRT, Stjepan Balog, përmes një e-maili zyrtar dërguar klubit të Skënderbeut, ka kërkuar falje për gabimin gjatë komentimit të ndeshjes së ekipit shqiptar me Dinamon e Zagrebit.

Gjatë komentimit, Balog kishte thënë: “Sot të gjithë mund të luajnë futboll, ka ikur koha kur shqiptarët i njihnim si shitës akulloresh”.

Ndaj këtij komentimi Balog ka marrë ankesa nëpër rrjetet sociale, por ka kërkuar falje, duke thënë se nuk ka dashur të fyejë shqiptarët.

Balog u kërkon falje klubit dhe gjithë Shqiptarëve të prekur nga fjala që ka përdorur gjatë komentimit, por sipas Balog asnjë moment nuk ka dashur të ofendojë popullin shqiptar e më tepër të ndikojë në marrëdhënien e mirë mes Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Kam marrë shumë mesazhe nga njerëz shqiptar të cilët janë të nevrikosur nga komenti im në ndeshjen Dinamo Zagreb – Skënderbeu. Nuk i kam shprehur ato fjalë në kontekstin e parë dhe nuk kam dashur të ofendoj popullin shqiptar. I kërkoj falje të gjithëve dhe nuk dëshiroj që fraza e gabuar të ndikojë në miqësinë e mirë mes dy popujve. Unë e di shumë mirë që shumë shqiptarë kanë luftuar për lirinë e Kroacisë”, ka sqaruar Balog.

“Ju lutem ta shpërndani mesazhin tim dhe faljen time në gjithë mediat shqiptare.

Ju falënderoj për mirëkuptimin”.