Aktuale

OAK: Prokuroria të hetojë keqpërdorimet në KEK që shkaktuan kolapsin

Oda e Afarizmit të Kosovës(OAK), të mërkurën nëpërmjet një konferencë për medie ngriti shqetësimet e saj për kolapsin energjetik të Kosovës, duke kërkuar nga Qeveria të emërojë bord të ri profesional në KEK dhe jo politik, si dhe të shkarkohet urgjentisht menaxhmenti aktual si fajtori kryesor për këtë kolaps energjetik dhe i cili ka dhjetë vjet që është në krye të KEK-ut.

OAK kërkon nga ZRRE që në asnjë mënyrë të mos mendojë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.kolapsi energjetik ka qenë i projektuar dhe i identifikuar nga akterë të ndryshëm. OAK theksoi se kolapsi energjetik do të shkaktojë një kosto të lartë prej 2.3 miliardë euro dhe energjia e importuar do t’i faturohet konsumatorëve dhe bizneseve.

Oda e Afarizmit të Kosovës theksoi se Kosova e ka mbërri kolapsin, pasi drejtë kolapsit ka shkuar shumë më herët. Nuk ka qenë e pa njohur, nuk ka qenë e pa pritur, e kemi lajmëruar qe gjashtë vite, ku tre ministra kanë ndërruar pozitat deri sa ka qenë i lajmëruar problemi i datës së kolapsit energjetik që është fundi i vitit 2017 dhe i paparë prej arkitektëve që e kanë menduar me shkatërruar sektorin energjetik në Kosovë.15 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime zyrtare, konferenca, tryeza, paga dhe lloj-lloj aktiviteti për TC Kosova e Re, i cili sipas OAK-së, nuk do të bëhet.

Drejtori ekzekutiv i OAK, Ismet Mulaj i bëri thirrje Prokurorisë që menjëherë të fillojë hetimet për keqpërdorimet në KEK dhe në sektorin energjetik.

“OAK i bënë thirrje prokurorisë së shtetit që menjëherë të filloj hetimet për përfoljet e shumta dhe keqpërdorimet në KEK në sektorin e energjisë”, theksoi Mulaj.

Në bazë të disa rekomandimeve për të dalë nga kriza, ai ka rekomanduar urgjentisht të shpronësohen tokat private dhe të krijohen mundësitë që KEK të fillojë shfrytëzimin e qymyrit në zonat ku është paraparë.

Mulaj po ashtu tha se ZRRE në asnjë mënyrë të mos mendojë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, sepse edhe ashtu sot Kosova ka çmimin më të lartë në Evropë.

“Qeveria të emëroj urgjentisht një bord profesional, bord i cili do ta shkarkoj menjëherë gjithë menaxhmentin e KEK-ut si fajtori kryesor që Kosova rrezikohet nga kolapsi energjetik, sepse ky menaxhment ka dhjetë vjet që është në krye të KEK-ut. Qeveria e re të ketë prioritet rritjen prodhimit të energjetik në Kosovë përmes futjes së kapitalit privat me gjeneratorët aktual. Të shqyrtohet oferta gjermane për Kosova A e cila ka qenë jashtëzakonisht favorshme. ZRRE në asnjë mënyrë të mos mendoj për rritjen e energjisë elektrike, sepse edhe ashtu Kosova e ka çmimin më të lartë të energjisë në Evropë”, theksoi Mulaj.

Ndërsa, Hamdi Malushaj, anëtar i Bordit të OAK-së, tha se kolapsi energjetik ka qenë i projektuar dhe i identifikuar nga akterë të ndryshëm. Ai tha se Kosova nuk po shkon drejt kolapsit, pasi ka shkuar më herët, kurse, tash e ka mbërri kolapsin.

“Kosova nuk po shkon drejt kolapsit sipas njohësve të sektorit të energjisë, por ka shkuar më herët që tash e kemi mbërri kolapsin. Nuk ka qenë e pa njohur, nuk ka qenë e pa pritur, e kemi lajmëruar qe gjashtë vite, ku tre ministra kanë ndërruar pozitat deri sa ka qenë i lajmëruar problemi i datës së kolapsit energjetik që është fundi i vitit 2017 dhe i paparë prej arkitektëve që e kanë menduar me shkatërruar sektorin energjetik në Kosovë. Arkitektët unë nuk e di se ku janë, por e di se në bazë të rezultateve ka arkitekt, mirëpo zbatuesit e projekteve gjenden në mesin tonë jashtë kësaj zyre, që do të thotë se institucionalisht e kemi falimentuar sektorin e energjisë me qëllim apo pa qëllim. Është dashur me krijuar një Komision për të nxjerrë këto rezultate se çka ndodhi? Kush e bëri? Pse ndodhi?”, theksoi Malushaj.

Sipas tij, derisa shumë herë është thënë se Kosova ka potenciale energjetike për zhvillim ekonomik, ndërsa sot ky sektor është bërë shkaktar i ngecjes ekonomike dhe pengesë për zhvillimin e bizneseve.

“Sektori i energjisë është bërë shkaktari i ngecjes ekonomike dhe mos besimit ndaj partnerëve tanë si biznese në Evropë, derisa problemi energjetik është i pazgjidhur në një vend ku mendohet me i zgjidhur problemet globale të energjisë. Kosova është menduar që të ketë ndikim në zgjidhjen e problemit energjetik rajonal ose me qenë lokomotivë e zhvillimit ekonomik me posedim të energjisë, ndërsa prej lokomotive është bërë barrë dhe pengesë për zhvillimin ekonomik”, theksoi ai.

Malushaj tha se e kishin njoftuar kryeministrin e Kosovës për situatën energjetike në Kosovë dhe si të dilet nga kjo gjendje. Ai potencoi se diku 15 milionë euro janë shpenzuar për udhëtime zyrtare, konferenca, tryeza, paga dhe lloj-lloj aktiviteti për TC Kosova e Re, i cili sipas tij, nuk do të bëhet.

Ai duke treguar për katër hapat urgjent që duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemit energjetik në Kosovë, ku tha se duhet bërë ndryshimi i strategjisë, të parashihet rindërtimi TC “Kosova A” në vend të rrënimit. Mulushaj shtoi se për prodhim të energjisë ekziston infrastruktura dhe potenciali, ku do të kishte pasur edhe efekt ekonomik, ide kjo sipas tij, edhe autoriteteve të Gjermanisë.

Ai ka shtuar se resurset energjetike në Kosovë janë përvetësuar në mënyra të ndryshme nga menaxhmenti i KEK për përfitime individuale.

“Askund mos e kërkoni problemin, veç në menaxhment. S’ka tjetër problem, këtë e kanë bërë njerëzit, duke u munduar me përvetësu dhe me i ndarë tokat e më i bërë të tyre. Të gjitha resurset energjetike janë munduar me i përvetësuar dhe me i bërë si prona të vetat”, theksoi Malushaj.

Sipas tij, kolapsi energjetik do të shkaktojë një kosto të lartë prej 2.3 miliardë euro dhe energjia e importuar do t’i faturohet konsumatorëve dhe bizneseve.

the authorE B