Një ditë pasi opozita e bashkuar në Shqipëri vendosi për organizimin e protestave mbarë popullore kundër Qeverisë, duke bërë edhe thirrje për mos bindje civile, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Teksa shprehet se opozita e sotme tentoi të vendoste një tarifë prej 8-9 eurosh kur ishte në qeveri për Rrugën e Kombit, tani synon të djegë rrugën evropiane të Shqipërisë.
“Kur ishin në qeveri e bënë tenderin e pagesës së rrugës 8-9 EU! Dështuan. Tani i vunë zjarrin “patriotik” e duan ta përdorin Kukësin si shishe benzine për të djegur rrugën europiane të Shqipërisë! Mjerë kush u beson rrugë humburve pa atdhe që duan zjarr e kaos për t’i ikur drejtësisë”, ka shkruar Rama, në rrjetin social Facebook.
Opozita e Shqipërisë ka paralajmëruar protesta derisa taksa rrugore të hiqet, dhe po ashtu ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë Rama.