Sport

Nora Gjakova: Lëndimi më pengoi, jam e lumtur me pjesëmarrjen në RIO 2016

Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova ka folur për emocionet e Rio 2016 dhe lëndimin serioz që e pati para ardhjes në Brazil.

Nora fitoi duelin e parë në Lojërat Olimpike, ku mposhti për mrekulli kolumbianen, Amaris Ydynis me rezultat 100-0 në favor të saj. Por, në meçin e 1/16, ajo humbi nga rumunia Caprioriu me rezultat 2-0 duke u eliminuar nga Lojërat Olimpike.

Ajo tregoi se një prej arsyeve kryesore për këtë humbje ishte edhe lëndimi, dhe mendja për lëndimin që ka nuk iu ka larguar asnjëherë. Por ajo u shpreh shumë e lumtur se është një prej sportistëve të para nga Kosova që merr pjesë në Lojërat Olimpike.

“Ka qenë një sfidë e madhe për mu për shkak se kam qenë e lënduar, nuk kam pas mundësi me heq mendjen prej lëndimit, por prapë se prapë jam shumë e kënaqur pasi arrita të marr pjesë në këtë garë, dhe nuk u dorëzova deri në fund që të marr pjesë në këtë garë. Jam e kënaqur që jam pjesë e historisë së Kosovës”, tha Nora për Indeksonline

Nora tregoi edhe vështirësitë që pati gjatë meçeve, por dha lajmin se mbas Rios, ajo do të operohet sepse lëndimi i saj është mjaftë i vështirë.

“Nuk kam pas vështirësi, por normal nuk kam arritur të jap maksimumin, pasi lëndimi është lëndim. Sa do që ti ke dëshirë të japësh maksimumin lëndimi të pengon. Mirëpo gjithçka shkoi mirë. Mirë që nuk kam pasur ndonjë lëndim tjetër, pasi lëndimi që unë kam është mjaftë serioz dhe mënjehër pas garave do të kem një ndërhyrje kirurgjike”, shtoi Nora.

Ajo falënderon gjithë ekipin por në veçanti trajnerin e saj, Driton Kuka i cili edhe pse kishte menduar të pensionohet ia ka dhënë një premtim Norës që do ta dërgoi atë drejt Tokios.

“Ai ka punuar gjithmonë, e falënderoi shumë sepse fal tij kam arritur deri te këto Lojëra Olimpike, gjithashtu edhe gjithë ekipin, shpresoj që me këtë pjesëmarrje olimpike, t’i inspiroj të gjithë garuesit se me punë arrihet gjithçka”, përfundoi Nora.