Pothuajse 100 shtete botërore janë përfshirë nga sulmi i madh i hakerëve, të cilët kërkojnë 300 dollarë për lirimin e kompjuterit nga virusi Wanna Decryptor. Softueri në fjalë bllokon dhe nuk lejon përdorimin e kompjuterëve derisa hakerëve të mos iu bëhet pagesa.
“Të gjitha dosjet tuaja të rëndësishme janë të mbyllura. Nëse kërkoni të gjeni mënyrën që serish të arrini te të dhënat, mos humbni kohë. Askush nuk mund të riparojë dosjet tuaja përveç shërbimit tonë për deshifrim”, thuhet në porosinë, e cila lajmërohet në kompjuterët në gjithë botën.
Hakerët kërkojnë pagesë prej 300 dollarësh deri më 19 maj, përndryshe të gjitha të dhënat në kompjuter do të fshihen. Ekspertët IT shpjegojnë se Wanna Decryptor është virusi më i rrezikshëm në internet, i cili mund të shkaktojë dëme të mëdha. Sipas tyre, Wanna Decryptor në fakt është një softuer i shifruar ransomware, i cili krijuesve të tij mund t’iu sjellë përfitime të mëdha, transmeton KosovaPress.
Në kompjuter hyn përmes shtojcave në email të padëshiruar dhe sapo të hapet fillon me shifrimin e të dhënave. Softueri krijon kopje të shifruara të të dhënave në kompjuterin e viktimës, pas të cilës fshihen dosjet origjinale. Për këtë arsye mbeten vetëm kopjet e shifruara, në të cilat është e pamundur qasja pas lejekalimin për deshifrim. Shifrimi zgjat prej pak minutash e deri te disa orë, varësisht nga sasia e të dhënave në kompjuterë.
Niveli bazë i virusit mund të largohet nëse Windows vendoset në mënyrë të sigurt të punës (safe mode) dhe më pas duhet aktivizuar programin antivirus, i cili do të gjegjë dhe të shlyejë Wanna Decryptor. Por, largimi i virusit varet nga lloji i antivirusit në kompjuterë dhe hakerët janë shpesh në avantazh, pasi programet antivirus në shumë kompjuterë janë me afat të skaduar.