Aktuale

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për falsifikimin e lejeve të armëve

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 shkurt 2018, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj pronarit të kompanisë “Fazani”, Hashim Rexhepi si dhe djalit të tij Atdhetar Rexhepi, pasi që të njëjtit pretendohet se kanë manipuluar me leje të armëve.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të pandehurit Rexhepi do të qëndrojnë në paraburgim deri më 15 mars.

Sipas dyshimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. kompania SHPK “Fazani”, e licencuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e që merret me armë dhe municion, ka falsifikuar leje për armëmbajtje personave të ndryshëm në shkëmbim të mjeteve monetare.

Kjo prokurori, në bazë të provave të siguruara, ka ngritur dyshime se është manipuluar me leje të armëve, ku janë pajisur persona te ndryshëm në shkëmbim të përfitimeve të kundërligjshme.

I dyshuari Atdhetar Rexhepi sipas prokurorisë, duke kryer punë në këtë kompani, e licencuar për Qendër të aftësimit teorik dhe praktik të manipulimit me armë, provime profesionale si dhe verifikim të kualifikimit të instruktorëve, në kompensim të shumës prej 5 mijë eurove i ka pajisur katër persona me leje të falsifikuar të armëve.

Sipas prokurorisë, i dyshuari Atdhetar Rexhepi duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë ka falsifikuar lejet dhe njëkohësisht i ka mashtruar qytetarët për çka pretendohet se e ka kryer veprën penale të “Mashtrimit”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime edhe ndaj të dyshuarit Hashim Rexhepi i cili në cilësinë e drejtorit të SHPK “Fazani”, duke qenë në dijeni lidhur me këto falsifikime nuk ka ndërmarr veprime për ta ndaluar djalin e tij Atdhetar Rexhepin.

Sipas prokurorisë, i dyshuari Hashim Rexhepi ka kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe “falsifikimit të dokumentit zyrtar”.

Mbrojtësi i të dyshuarit Hashim Rexhepi, avokati Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, deklaroi se i mbrojturi i tij është duke dhënë kontributin që prokurorisë dhe mekanizmave tjerë, ti ndihmoj në vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike të këtij rasti.

Sipas avokatit Halilaj, veprimet e të mbrojturit të tij nuk inkrimohen në veprat të cilat tani për tani prokuroria pretendon.

Ndërsa i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të dyshuarit Atdhetar Rexhepi, avokati Besnik Jakupi theksoi se i njëjti nuk vazhdon të jetë përfaqësues i tij për çka edhe nuk ka kompetenca për të folur.

the authorE B